
Grupe të rinjsh shëtisin në shesh me rroba banje, për të shkuar në det. Por që prej ditës së diel, kushdo që lëviz me rroba banjo në qytetin bregdetar italian të Sorrento rrezikon të gjobitet deri në 500 euro.
Kjo masë vjen me synim që qyteti të bëhet një model i turizmit cilësor dhe për këtë arsye është marrë një masë e ashpër ndaj turistëve të pabindur.
Është e ndaluar të ecësh pa këmishë dhe me rroba banje, edhe nëse e veshur me bikini është një vajzë e bukur me syze dielli dhe me një çantë shpine.
Kjo është dispozita e një urdhri të firmosur nga kryetari i bashkisë, Massimo Coppola, i cili e motivon dispozitën me thirrjen për t’i dhënë fund keqpërdorimeve dhe sjelljeve që nga shumica e njerëzve perceptohen si në kundërshtim me mirësjelljen.
Sanksioni i parashikuar për shkelësit, varion nga 25 deri në 500 euro.
Kemi konstatuar se vazhdimësia e një situate të tillë, përbën një element shqetësimi për popullsinë rezidente dhe për turistët mysafirë, mund të përbëjë një parametër objektiv të vlerësimit negativ të nivelit cilësor të jetesës së mirë në bashkinë tonë me pasoja në imazh dhe në ofertën turistike.
Mbrojtja dhe përmirësimi i jetueshmërisë së hapësirave publike përfaqëson një objektiv strategjik dhe prioritar të administratës komunale dhe arritja e këtij qëllimi nuk mund të ndahet nga një veprim i parandalimi i dukurive më të përhapura të sjelljes së pahijshme, që janë shkak i përkeqësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve.



