William Walker angazhohet në fushatën e njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë është takuar me presidenten në detyrë, Vjosa Osmani, në Prishtinë.
Vetëm një ditë pasi Osmani njoftoi se presidenca s’kishte pasur kurrë kontratë personalisht me Walkerin si këshilltar, në një komunikatë për media nga Zyra e Presidencës është bërë e ditur se të dy kanë biseduar “për të rikonfirmuar angazhimin e tyre të përbashkët për vazhdimin e bashkëpunimit”.
“Z. Walker ka qenë një mik i devotshëm i popullit të Kosovës gjatë ditëve tona më të errëta dhe do të mbetet i tillë edhe tash e tutje. U.d. Presidentja Osmani dhe Ambasadori Walker ranë dakord të kultivojnë bashkëpunimin e ngushtë me njëri tjetrin. Siç është cekur në komunikimin me shkrim të realizuar në muajin nëntor, të dyja palët presin të punojnë së bashku për të siguruar njohje të reja ndërkombëtare dhe më shumë njohuri për Kosovën si dhe për të avancuar sundimin e ligjit në vend”, thuhet në njoftim të presidencës.
Presidenca e Kosovës ka pasur deri tani një kontratë me fondacionin me emrin “Fondacioni Walker” dhe jo personalisht me ish-ambasadorin.
Walker ishte zëri i parë që denoncoi ndërkombëtarisht krimet e kryera mbi shqiptarët e Kosovës nga paramilitarët serbë në vitin 1999. Dëshmia e tij nga masakra e Reçakut bindi përfundimisht komunitetin ndërkombëtar për atë që po ndodhte në Kosovë dhe solli ndërhyrjen e NATO-s në pranverën e vitit 1999.



