Eksperti i ekonomisë, Leon Hasani deklaron për MCN se, pavarësisht uljes së akcizës, çmimi i naftës është rritur dhe kjo do të rëndojë më tej qytetarët. Sipas tij, mungesa e një uljeje drastike të barrës fiskale do të sjellë rritje zinxhir të çmimeve, duke prekur veçanërisht sektorin e bujqësisë dhe koston e jetesës në vend.
Intervista e plotë:
-Dje Bordi i Transparencës e rriti çmimin e naftës në 244 lekë/ litri, ndërkohë që aplikoi edhe vendimin për uljen me 20% të akcizës, që i bie 8 lekë zbritje, që ta kuptojnë qytetarët çmimin më gjithë këto veprime nga mekanizmat e qeverisë është ulur apo ngritur?
Është një aritmetikë e qartë që është rritur çmimi i naftës.
-Si është e mundur që çmimi i ri shpallet në orën 3 të pasidites, ndërsa ulja e akcizës hyn në fuqi në orën 20:00 të mbrëmjes, çfarë mund të ndodh në këto momente me tregun?
Këto janë politika të tilla që shteti shqiptar i ka menduar, ky është një rakordim i privatit dhe bordit të transparencës.
-Cilat janë masat që duhet të kishte marrë qeveria për të amortizuar situatën, përgjysmim të taksave, heqje të akcizës, apo çfarë?
Qeveria duhet të bëjë një ulje drastike të barrës fiskale. Ne kemi patur një çmim më të lartë se rajoni.
-A mund të ndjekim modelin e fqinjëve tani, pse nuk e bëjmë diçka të tillë?
Besoj që është tërësisht filozofi e Ramës që parashikon të ardhura të siguruara dhe s’do të prekë as shpenzimet e planifikuara për vitin e ardhshëm. Kjo gjë çon taksimin e qytetarit.
-Për tu ndalur tek pasojat e rritjes së çmimit të naftës si i shihni ato dhe çfarë parashikoni?
Do të kemi një zinxhir të inflacionit dhe rritje e çmimit të shportës dhe më i prekuri do të jetë sektori i bujqësisë ku lëndët e para që vijnë nga Gjiri Persik do të jenë më të shtrenjta.
-Ju duken reale çmimet në treg, a i justifikon ato rritja e çmimit të naftës?
Besoj që ka nevojë për një studim dhe të merren rastet në mënyrë specifike dhe patjetër që kemi një rritje të mallrave. Roli i qeverisë është të masë kostot reale të bizneseve dhe çmimin final që duhet të emetohet në treg.



