Analisti i njohur Mustafa Nano ka lëshuar deklarata të forta ndaj dy figurave kryesore të politikës shqiptare, Sali Berisha dhe Edi Rama, gjatë një interviste në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV.
Nano i cilësoi të dy liderët si “raste klinike”, duke theksuar se ata nuk e shohin drejtimin e vendit si shërbim publik, por si një mënyrë për ta sunduar atë.
Kam arritur në përfundimin se ky njeri është i sëmurë, rast klinik… Edhe Rama është i sëmurë. Na duhen njerëz normalë, jo shumë inteligjentë, si në Perëndim.
Duke rikujtuar njohjen e tij të hershme me Berishën në vitet ’90, Nano tha se nuk e kishte imagjinuar kurrë që ai do të vazhdonte të ishte aktiv në të njëjtën mënyrë edhe sot, me të njëjtin pasion dhe retorikë.
Sa i përket Ramës, analisti theksoi përqendrimin e madh të pushtetit në duart e tij, duke sugjeruar se kjo situatë jo vetëm që nuk e shqetëson kryeministrin, por përkundrazi i jep kënaqësi.
Rama në 2026 ka grumbulluar të gjithë pushtetin… i pëlqen ta ushtrojë, të emërojë, të shkarkojë, të promovojë dhe të ndëshkojë.
Sipas tij, ekzistojnë dy mundësi: ose të dy liderët e shohin veten si shpëtimtarë të kombit, ose mbrojnë interesa të forta që i mbajnë në pushtet, pa përjashtuar që të dyja mund të jenë të vërteta njëkohësisht.
Në përfundim, Nano ngriti shqetësimin për gjendjen e shoqërisë shqiptare, duke e konsideruar praninë e gjatë të këtyre figurave në politikë si tregues të problemeve më të thella.
Janë njerëz që nuk duan ta qeverisin këtë vend, por ta sundojnë… defektet e shoqërisë nuk i bezdisin, por i shfrytëzojnë për të sunduar më shumë.



