
Duke analizuar se PSD e Tom Doshit me 30 mijë vota mori 3 deputetë ndërkohë që LSI ka me 107 mijë vota ka marrë 4 mandate, analisti Artur Zheji e cilësoi formulën e votave të përkthyera në mandate si vetëvrasëse për opozitën.
Përmes emisionit “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Zheji tha se si PD edhe LSI kanë punuar me dyshime serioze për njëri-tjetrin, ndërkohë që shtoi se tashmë po përpiqen të gjejnë një armik që nuk ekziton.
“LSI ka marrë 107 mijë vota dhe ka katër mandate, Doshi ka marrë 30 mijë vota dhe ka marrë 3 deputetë. Formula e zgjedhur është vetëasgjësim. Mendonit se do merrnit 300 mijë. LSI ka makineri për vota, e kanë shpikur makinerinë e targetimit. Ju nuk i kemi marrë vetë vendimet dhe nuk keni target të përgjigjeni. Ju ose duhet të refuzonit të futeshit në zgjedhje, ose të bënit koalicion defakto dhe të hynit. Tani kërkoni një armik që nuk ekziston, armikun e keni tek vetja. Duhej të ishte bërë një koalicion unik për mundjen e kundërshtarit kryesor. Egoizmat e brendshme partiake dominuan mbi domosdoshmërinë për mundjen e kundërshtarit. Të dy palët kanë punuar me dyshim serioze për njëri-tjetrin”, tha Zheji.
Ndërkohë Belind Këlliçi këmbënguli se duhet bërë një analizë e thelluar Brenda PD dhe nëse refuzohet të bëhet kjo do të ishte vetëvrasëse.
“Duhet analizë e vërtetë dhe e gjatë se ku ka gabuar PD dhe secili individ. Nëse ne refuzojmë të bëjmë analizën është vetëvrasëse”, tha Këlliçi.



