Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka sqaruar edhe njëherë sot arsyet pse kryeparlamentari Meta i kërkoi Nishanit mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështjen e mos arrestimit të Klement Balilit.
Duke folur jashtë kryesisë së Kuvendit, Vasili e vlerësoi kërkesën e Mmetë, si vendimin më të drejtë që duhej bërë në këtë moment. Ai kujtoi se ajo erdhi pas takimeve të fundit që Meta, në prani edhe të Vasilit pati në vizitën e fundit në SHBA, me zevendessekretarin amerikan, ku u përcoll edhe shqetësimi në fjalë.
Sipas Vasilit, edhe deklaratat e fundit të ambasadorit amerikan në vendin tonë, Lu kanë transmetuar hapur shqetësimin për ceshtjen e Klement Balilit. “Në kushte të tilla, reagimi më i mirë që Meta mund të bënte është ai institucional, me kërkesën zyrtare drejtuar Presidentit” tha Vasili.
I pyetur për reagimet kundër kësaj mbledhjeje, përfshirë edhe deklaratat e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri të bëra sot, Vasili tha se nuk do të bëjë komente duke ja lënë publikut gjykimin.
Por Vasili zbuloi se kush ia ka kërkuar kreut të Kuvendit arrestimin e Balilit. “Se cilat janë reagimet në lidhje me kërkesën e kreut të Kuvendit, nuk besoj se është e nevojshme të bëj komente, po ja lë publikut të gjykojë këto komente dhe pse bëhen. Gjatë vizitës në SHBA, isha i pranishëm në një takim të zotit Meta me Ndihmës Sekretarin e Shtetit, ambasadorin William Brownfield që shprehur vlerësimin për bashkëpunimin në reformën në drejtësi. I vetmi shqetësimi që ambasadori Brownfield ngriti në këtë takim ishte mosndalimi i Klement Balilit dhe ambasadori i kërkoi zotit Meta të nxiste autoritetet shqiptare për të bërë gjithçka”, deklaroi Vasili.
