Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka inspektuar qendrën e plazhit të vjetër në Durrës, një nga 29 qendrat shëndetësore verore të hapura për pushuesit përgjatë zonave turistike.
Nga aty Manastirliu deklaroi se në këto qendra, turistët mund të kryejnë testin e shpejtë, ndërsa ata që janë në kategorinë +18 vjeç në javën e hapur të vaksinimit, mund të marrin vaksinën kundër COVID.
Sa i përket shërbimeve është një nga qendrat në të gjithë vijën bregdetare që ka fluksin më të lartë. Qendrat shëndetësore veror janë rritur vit pas viti dhe falë angazhimit të mjekëve dhe infermierëve kemi përforcuar këto shërbime por kemi shtuar edhe shërbime të reja që prej këtij viti realizohet në qendrat shëndetësore verore. Është e rëndësishme të ndiqen rastet e infektuara. Në këto qendra vijon edhe vaksinimi për të gjithë qytetarët +18 vjeç. Dua të falenderoj mjekët e strukturave tona të qendrave shëndetësore verore sa i përket jo vetëm punës rutinë por edhe të vëmë fokusin për shtrirjen e mbulesës vaksinale”, tha Manastirliu.
Rreth 130 mjekë dhe infermierë në qendrat shëndetësore verore ofrojnë shërbim 24/7 për emergjencat në 29 pika turistike nga veriu në jug. Në çdo qendër shëndetësore verore ofrohet falas edhe testi i shpejtë i Covid19, me synim identifikimin e hershëm dhe izolimin e rasteve të dyshuara me virusin e rrezikshëm.



