Një shpërthim me tritol ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit në fshatin Bardhaj të njësisë Rrethina.
Sasia e eksplozivit ishte vendosur në banesën e policit Valter Serra.
Si pasojë është dëmtuar automjeti tip “Volkswagen” në pronësi të Serrës dhe janë shkaktuar dëmtime të lehta në banesën e tij.
Janë të paqarta arsyet e kësaj ngjarje, por policia dyshon se ngjarja ka ndodhur për shkak të detyrës.
Njoftimi i policisë: Shkodër/Informacion paraprak
Më datë 30.12.2022, rreth orës 02:00, në fshatin Bardhaj, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, para banesës së shtetasit V. S., me detyrë punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Shkodër.
Si pasojë është dëmtuar automjeti tip “Volkswagen” në pronësi të këtij shtetasi dhe janë shkaktuar dëmtime të lehta në banesën e tij.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, nga veprimet e para hetimore, ka siguruar prova që do të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.



