Deputeti socialist Lavdrim Krashi, ndryshimet në kabinetin qeveritar dhe largimin e ministreve Olta Xhaçka, Evis Kushi dhe Frida Krifca, i argumenton me faktin që Kryeministri Edi Rama e ka parë të të udhës që t’i japë frymë të re dhe impuls të ri qeverisë.
Nga studio e lajmeve të MCN Tv, ai deklaroi se është detyrë dhe përgjegjësi e Partisë Socialiste për të pasur ekipin më të përshtatshëm për të përmbushur të gjitha premtimet e programit të PS.
Sipas tij, risia e ditëve të fundit është një lloj kulture e re politike dhe se programet rishikohen në përshtatje me situatat e reja të krijuara që mund të çojnë në ristrukturim të kabinetit qeveritar.
Për kolegët e larguar misioni i tyre është i kryer. Ata janë përsëri deputetë, do të zënë vendin që u ka dhënë populli dhe do të japin kontributin e tyre në grupin e PS.
Misioni i tyre është kryer dhe do të vijojnë të japin kontribut si deputetë të Partisë Socialiste.
Për emrat e rinj jam i bindur se Kryeministri Edi Rama ka parasysh programin politik dhe zgjedh ekipin e përshtatshëm për të kryer këtë detyrë.
Janë përzgjedhje që vijnë bazuar në programin e PS.
Sa i takon hyrjes në qeveri të Arbian Maznikut, Krashi tha se e sheh si risi në qeverisjen e Partisë Socialiste, ku po jepet një vend që ka patur një vakum në këto vite sa i takon pushtetit vendor.
Pushteti vendor është më afër njerëzve, njerëzit kanë nevojë për shërbime për t’i adresuar të gjitha shqetësimet që kanë.
Ministria për pushtetin lokal do të shërbej si një drejtuese e të gjitha bashkive në Shqipëri jo thjesht për një reformë të re administrativo-territoriale në vend, por edhe për të monitoruar punën e kryebashkiakëve pasi koha e kryebashkiakëve që silleshin si bajraktarë ka mbaruar.
Deklaratat e Kryeministrit në Asamblenë e PS, ku iu referua drejtësisë, reformës dhe punës së SPAK dhe nuk munguan as kërcënimet për deputetët dhe ministrat e tij, Krashi nuk i sheh si kërcënime.
Ne nuk mund të gënjejmë njeri tjetrin dhe opinionin publik se gjatë 30 vite ka pasur persona jo thjesht të padëshiruar por afera korruptive që nuk kanë vend.
Krimi dhe korrupsioni nuk kanë vend në Partinë Socialiste. Një person që shfaq gjëra të tilla nuk ka vend as në qeveri dhe as në partinë politike, është gjykata që do të vendosë nëse janë ose jo fajtor.
Lidhur me largimin e Damian Gjiknurit dhe afrimit të atyre që njihen si njerëz të Erion Veliajt, mohoi që të ketë rivalitet me Kryeministrin duke thënë se Rama-Veliaj janë në harmoni dhe kanë dominuar punën në dhjetë vitet e fundit.



