Rreth ores 14 të së mërkurës një helikopter ( i modelit EC145) i Forcave të Armatosura është rrëzuar në ujërat e Liqenit të Shkodrës, në afërsi të fshatit Grizhë të Malësisë së Madhe. Nga ky incident kanë humbur jetën dy ushtarakë me detyrë pilotë, Kapiteni Florian Dedaj dhe Togeri Donald Hoxha.
Dedaj dhe Hoxhaj po drejtonin mjetin fluturues gjatë incidentit, ndërsa po në të njëjtën ngjarje ka mbetur i plagosur, por jasht rrezikut për jetën, edhe ushtari profesionist, Gerald Baramuça.
Trupat e Kapitenit Dedaj dhe Togerit Hoxhaj janë mundur të lokalizohen dhe të nxirren nga ujërat e liqenit falë një aksioni të koordinuar mes forcave RENEA, FNSH dhe janë dërguar për në morgun e Spitalit të Shkodrës. Në afërsi të vendngjarjes është ndodhur edhe një varkë peshkimi me disa peshkatarë. Këta të fundit kanë deklaruar se kanë asistuar në një shpërthim në brendësi të helikopterit dhe gjithashtu gjatë rrëzimit. Të njëjtët peshkatarë ishin edhe personat që bënë të mundur shpëtimin dhe dhënien e ndihmës së parë për Gerald Bramuçën.



