
Avokati Besnik Muçi hartën e re gjyqësore dhe reduktimin e numrit të gjykatave, e cilëson si një reformë për qeverinë dhe jo për qytetarët.
Në studion e MCN Live, Muçi deklaroi se kjo hartë gjyqësore e vështirëson në maksimum aksesin e qytetarëve, duke e përkrahur bojkotin e seancave gjyqësore të avokatëve nga data 14 deri në 17 qershor, me përjashtim të masave të sigurisë.
Ai e cilëson si veprim simbolik por shton se domethënia është shumë e rëndësishme për të sensibilizuar, për mundësinë për të gjykuar dhe për të patur gjykata që u shërbejnë qytetarëve.
KLGJ ka menduar për qeverinë jo për qytetarët. Mu duk si dokument propagandistik. KLGJ e llogariste ngarkesën e gjykatave, jo mbi bazën e një ngarkese të caktuar që të japë gjykim gjyqësor.
Një gjyqtar që shqyrton 400 çështje në vit, a mund të japë drejtësi cilësore? KLGJ thotë se shkurtohen gjykatat për shkak të mungesës së çështjeve. Pritshmëria e parë është ulja e komandimit të gjyqtarëve.
Është detyra e qeverisë që t’i garantojë qytetarit akses në drejtësi, sa më afër banesës së qytetarit. Cenohet në thelb aksesi në drejtësi. Qytetari europian e ka gjykatën jo më larg se një orë nga banesa me transport publik.
Një banor nga fshatrat e thella të Tropojës duhet të mbërrijë në gjykatë për 2 orë. Por a mundet të shkojë në Kukës për 2 orë, në kushtet kur nuk ka transport publik, i cili nuk ekziston në qytet dhe jo më në fshat.
Drejtësia nuk është luks, por detyrë e shtetit për t’i ofruar akses në drejtësi qytetarëve shqiptarë. Qeverisja gjyqësore po ndihmon në shpopullimin në Shqipëri.
Duke qenë se Shqipëria po shpopullohet, s’ka shkolla dhe spitale, atëherë po i shpopullojmë këto zona, t’iu heqim dhe gjykatat.
Muçi e cilësoi si skandal çështjen e gjykatave të Apelit, duke kujtuar se dikush nga Konispoli duhet të vijë në Tiranë.
Deri në Apel çështja është gjykim me palë, jo me provë. Është gjykim ligji. Janë disa gjykata të rretheve shumë të rëndësishme të Shqipërisë që shkurtohen.
Shkurtohet gjykata e Krujës, që është qyteti më i vjetër i Shqipërisë, duam të zhdukim historinë. Po banorët e fshatrave të Krujës. Banori i Xarës në Sarandë, duhet të vijë në Gjirokastër për një çështje.
Ka qytete që kanë pasur gjykata që me krijimin e shtetit shqiptar, si Kruja, Lushnja, Pogradeci, ti s’mund ta fshish historinë e Shqipërisë. Nuk mund të zhdukim traditën e Shqipërisë me një të rënë të luftës.
Statistikat krijohen me çështjet që ka një gjykatë. Saranda ka mbi 900 çështje në vit, kur ne i themi gjyqtarit të gjykojë 400 çështje në vit. Një gjyqtar nuk duhet të gjykojë më shumë se një çështje në tre ditë.
Sipas tij, institucionet e shtetit shqiptar po veprojnë me një arrogancë të çuditshme, duke thënë se ky nuk është shqetësim i avokatëve, por është shqetësim për qytetarët dhe nuk duhen shmangur edhe avokatët e Shqipërisë, që ushtrojnë një të drejtë të natyrës kushtetuese.
Se në thelb avokatia është një funksion kushtetues. Kjo sjell bllokim të sistemit të drejtësisë. Mund të jenë mijëra seanca që qytetarët nuk do i zhvillojnë këto katër ditë. Ka kosto për qytetarët.
Jam i bindur se edhe KLGJ do reflektojë. Këta janë ustallarë do ia hedhin edhe mes diversionet mes avokatëve. Për mua është thjesht një çështje ekonomike, qeveria nuk ka para për të financuar sistemin e drejtësisë.
Sa kohë që ekspertët citojnë sallat e gjyqeve, ekspertët.
Çfarë parashikon harta e re gjyqësore
Këshilli i Lartë Gjyqësor në mbledhjen e tij të fundit në 10 qershor miratoi Hartën e Re Gjyqësore, e cila redukton gjykata e rretheve në 13 nga 22 që janë aktualisht dhe krijon vetëm një Gjykatë Apeli të përgjithshme, nga 6 që janë në funksion. Po ashtu, është vendosur që të reduktohet edhe numri i gjykata administrative të shkallës së parë. Sipas projektit të KLGJ-së, nga 6 gjykata të tilla, pritet të funksionojnë vetëm dy
Akti, i cili pritet të konsultohet me Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Financave para se të shkojë për miratim në Këshillin e Ministrave, parashikon që do të jenë funksionale gjykatat e rretheve gjyqësore në qytetet; Berat, Dibër, Durrës, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Lezhë, Korçë, Kukës, Sarandë, Shkodër, Tiranë, Vlorë.
KLGJ ka vendosur të shkrijë gjykatat e Apelit në Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Shkodër dhe Korçë.
Po ashtu, sipas KLGJ-së, nuk duhet të ekzistojnë më as gjykatat administrative të shkallës së parë në Vlorë, Gjirokastër, Shkodër dhe Korçë.



