
Kryeministrja e Norvegjisë, Erna Solberg, në emër të qeverisë u kërkoi falje të gjitha grave norvegjeze, të cilat gjatë Luftës së Dytë Botërore patën marrëdhënie me ushtarët gjermanë dhe për këtë u ndëshkuan në përfundim të konfliktit. Lajmin e bën të ditur BBC-ja.
Norvegjia u pushtua nga forcat naziste në prill të vitit 1940 dhe mendohet se rreth 50 mijë gra norvegjeze patën raporte intime me ushtarët gjermanë, të inkurajuar për këtë nga kreu i skuadrave SS në atë kohë, Heinrich Himmler, që në këtë mënyrë shpresonte se do të përmirësonte racën ariane.
Këto gra, që më vonë u quajtën “të dashurat e gjermanëve”, u vunë në shënjestër pas luftës duke u parë si tradhtare. Shumë prej tyre u privuan nga shumë të drejta, u çuan në paraburgim ose edhe u dëbuan në Gjermani së bashku me fëmijët.
“Autoritetet norvegjeze shkellën rregullin themelor, sipas të cilit asnjë qytetar nuk mund të ndëshkohet dhe të dënohet pa process gjyqësor. Për shumë prej tyre ishte një dashuri e adoleshencës, për të tjera dashuria e jetës me një ushtar të armikut apo thjesht një flirt që shenjoi jetën e tyre përgjithmonë”, tha kryeministrja Solberg.
Pak prej këtyre grave janë gjallë sot për të pranuar ndjesën e qeverisë, por kanë lënë pas fëmijët. Mendohet se janë rreth 12 mijë fëmijë të lindur nga këto marrëdhënie. Disa prej tyre u bënë pre e hakmarrjes që në moshë të vogël, duke u dhënë për adoptim apo duke u dërguar në institucione shtetërore. Në vitin 2007, një grup përfaqësues i tyre apeloi në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, por çështja nuk u pranua për shkak të kohës së gjatë të kaluar që nga ngjarjet në fjalë.



