
Politologu Ilir Kalemaj në studion e lajmeve në ‘MCN Live’ ka komentuar lidhur me Konferencën e parë Ndërqeveritare për të cilën u shpreh se ky është fillimi i një rrugëtimi të gjatë, ku na presin ende punë të mëdha dhe sfida përpara.
Ai tha se nuk është plotësuar asnjë nga kushtet përfundimisht dhe se qeveria ka ende punë në plotësimin e detyrave të saj të shtëpisë.
Nuk është fundi i fillimit, por fillimi i fundit, fillimi i një rrugëtimi të gjatë i Shqipërisë. Nëse kjo ndodh sepse duke u nisur nga eksperienca e vendeve që e kanë kaluar këtë eksperiencë ne gjejmë dhe raste suksesi. Shqipëria ka pasur në mënyrë të përsëritur, kushtet që nga 7 u bënë 15 mund të them se asnjë nuk është plotësuar në mënyrë përfundimtare, por ka mjaft punë për të bërë. Pozitive mbetet fakti që politika e jashtme është e linjëzuar me politikën e Bashkimit Evropian, por na duhet ende një punë e madhe dhe sfidë që na pret përpara.
Më tej ai theksoi se procesi tashmë ka nisur, por mbetet mjaft punë për të bërë sidomos për azilantët shqiptarë ku sipas shifrave një pallat i tërë po braktis vendin çdo ditë. Kalemaj tha se duhet shumë punë nga qeveria, ndërsa theksoi se BE ka qëndrueshmëri në stafet teknike.
Në këtë sens duhet shumë punë reale për të mbajtur forcën punëtore në vend, të luftohet korrupsioni, të frenohet migracioni. Jemi dhe vend problematik për pastrimin e parave. Pra në këtë panoramë aspak premtuese qeveria duhet të bëjë detyrat e shtëpisë një orë e më parë, duhet të rrisë stafet teknike që të negociojnë me homologët evropiane, të cilat kanë qëndrueshmëri në stafet teknike. Të gjitha këto janë detyrat tona të shtëpisë ku barra kryesore i takon qeverisë.
Ndër të tjera ai theksoi se stafi që shoqëron kryeministrin Rama në Bruksel duhet të jetë teknik dhe jo politik. Teksa e sheh me skepticizëm Shqipërinë në përmbushjen e këtyre detyrave, Kalemaj tha se administrata publike duhet të funksionojë si një trup i vetëm.
E para presupozohet se stafi që po shoqëron Ramën të jetë teknik, por ata janë politik. Së dyti është pjesa ligjore, janë 130 mijë ligje të BE që duhen korporuar në legjislacionin tonë dhe aty kemi pak vend për negociatë, por problemi është që s’mund të bëjmë më sikur, këtë herë do jemi në monitorim dhe vëzhgim të rreptë. Pra jemi shumë larg parametrave që kërkon BE. Administrata publike duhet të funksionojë si një trup i vetëm. E shoh me shumë skepticizëm të përmbushë Shqipëria detyrat e saj, të jetë e aftë për t’ju përgjigjur me korrektesë brenda afateve kohore kërkesave të BE në përmbushjen e këtyre axhendave. Ne kemi humbur shumë herë trenin e radhës për faj të gabimeve të brendshme të politikës. Prioritet i tyre ka qenë qëndrimi në pushtet ose ardhja në pushtet kur janë në opozitë. gjithmonë kjo ka krijuar që rrota historisë të ngelet në vend dhe ne të mos përparojmë para. Nuk mundtë futesh në BE pa u evropianizuar më parë. Jam skeptik nuk jemi ende gati.



