
Presidenti francez Emmanuel Macron do t'i drejtohet qytetarëve përmes një fjalimi televiziv të hënën në mbrëmje ndërsa vendin e ka përfshirë frika e një vale të re të Covid-19, nxitur nga varianti më ngjitës Delta.
Tipi i virusit, i cili u zbulua për herë të parë në Indi, tani përbën shumicën e infeksioneve të reja në vend, sipas autoriteteve shëndetësore.
"Ne jemi në fillim të diçkaje që duket si një valë epidemie," i tha Ministri i Shëndetësisë Olivier Véran Radio J të Dielën, shkruan Euronews.
Ndërsa shtrimet në spital vazhdojnë të ulen me 947 persona në kujdes intensiv, infeksionet e reja po rriten. Të Dielën, Franca raportoi 4,256 raste të reja krahasuar me 2,549 vetëm një javë më parë.
Rastet e reja mund të rriten "mbi 20,000 në fillim të gushtit nëse nuk veprojmë", paralajmëroi Véran.
Në këtë kontekst, kreu i shtetit pritet të shpallë kufizime të reja të mundshme vetëm disa ditë pas heqjes së tyre. Klubet e natës u rihapën në të gjithë vendin të Premten për herë të parë në 16 muaj, një hap i fundit në kthimin në normalitetin para-pandemisë.
Macron ka mbledhur këshillin e mbrojtjes shëndetësore të hënën në mëngjes për të diskutuar masat e reja me ministrat kryesorë të kabinetit.



