Provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë i detyroi maturantët të dalin në një protestë para Minstrisë së Arsimit ditën e sotme. Ata thonë se një pjesë e pyetjeve të testit nuk kishin lidhje me programin mësimor në këto dy lëndë. Mësuesi dhe eksperti i arsimit, Ardi Stefa, në një lidhje me studion e lajmeve në TvT tha se Ministria e Arsimit ka detyrimin t’u përgjigjet disa pyetjeve në lidhje me këtë test.
“Testi kishte problematikën e transparencës në hartimin dhe formulimin e testit dhe e dyta vërejtjet që ne kemi parë nga testi. Ka qenë kërkesë e kahershme që nga 2015 që testi dhe skema e vlerësimit të publikohen menjëherë, në mënyrë që komuniteti i mësuesve të diskutojë hapur mbi testin. Ne duam të dimë kriteret mbi të cilat u ndërtua teza. E treta, nëse hartuesit e morën parasysh situatën aspak normale me të cilën u përballën maturantët për shkak të tërmetit dhe pandemisë”, tha ai.
Stefa shtoi se Ministria e Arsimit duhej të kishte treguar tolerancë, duke marrë në konsideratë faktin se ky vit shkollor u prek dy herë nga emergjencat: tërmeti dhe koronavirusi.
“Ministria e Arsimit duhej të kishte treguar një tolerancë. E tha me fjalë, por nuk e bëri. Ky test ishte me 60 pyetje, a ishte e mjaftueshme koha për t’iu përgjigjur? Ishin tre tekste dhe një pjesë e katërt, nuk kishte ese, duke pasur parasysh kohën e pamjaftueshme, testi nuk i korrespondonte kohës. Ndërtimi i testit nuk përmblidhte fushat e parashikuara në programin e maturës shtetërore. Janë lënë mangët 66% e njohurive të letërsisë”, tha ai.
Stefa kërkoi që të bëhen të ditur emrat e komisionit që ka hartuar tezën.



