Shqipëria dhe Kina kanë hapësira të pashfrytëzuara ende që bëjnë të mundur bashkëpunimin në fushën e turizmit, i cili është prioritet për qeverinë shqiptare.
Në një intervistë për agjencinë kineze të lajmeve, “Xinhua”, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Ardit Çollaku, thotë se qeveria po i kushton një rëndësi të veçantë ndërtimit të infrastrukturës që bën të munur lidhjen me zonat e thella me impakt të madh në fushën e turizmit si dhe do të ndërtojë resorte turistike në harmoni me natyrën në bregdet. Sipas Çollakut, kompanitë kineze kanë mundësi të mira për të investuar në këtë sektor.
Kreu i agjencisë së turizmit shprehet më tej në intervistë se operatorët turistikë në Shqipëri janë plotësisht të informuar pr kërkesat e turistëve kinezë dhe kjo bën që ata të dinë se çfarë t’i ofrojnë këtij tregu.
“Kemi parë interesin e tyre në drejtim të trashëgimisë kulturore, fushë në të cilën ofrojmë disa paketa që nga vizitat në vendet e trashëgimisë së UNESCO-s si Gjirokstra, Berati, Butrinti si dhe eksplorimin e shijeve të kuzhiës dhe plazhet e mrekullueshme të rivierës shqiptare”, shprehet ai.



