Politika shqiptare uroi sot të gjithë mësuesit me rastin e 7 marsit, Ditës së Mësuesit, ndërsa shprehu nderimin për misionin e tyre më fisnik në rrugën e dijes.
Presidenti Ilir Meta uroi sot në Ditën e Mësuesit, çdo mësues, pedagog dhe profesor shqiptar në misionin fisnik të mëkimit të dijes, vlerave qytetare, atdhetare e patriotike.
Presidenti shprehu nderim përjetë dhe mirënjohje ndaj gjeneratave të mësuesve shqiptarë që me sakrifica sublime u vunë në ballë të lëvizjeve kombëtare, jo vetëm për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë, por edhe për demokratizimin e saj, duke i prirë zhvillimit, emancipimit dhe demokratizimit të vendit.
“Faleminderit edhe të gjithë mësuesve, pedagogëve e profesorëve të nderuar që së bashku me ajkën e elitës së intelektualëve shqiptarë janë vënë sot në ballë të pranverës kuqezi. Lavdi përjetë atyre që dhanë jetën për gjuhën tonë të shenjtë. Të mos harrojmë kurrë amanetin e Petro Nini Luarasit: “Mblidheni gjakun tim që ta përdorin fëmijët për të shkruar shqip!”, tha Meta.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, uroi sot mësueset dhe mësuesit e Shqipërisë, me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit.
“Urime e mirënjohje kolegëve të mi mësues. Unë jam krenar që kam qenë dhe jam njeri prej jush. Festa e mësuesve është festa e të gjithë shqiptarëve, nxënësve e prindërve. Mësuesit janë legjionarë të heshtur të dijes. Misioni i tyre është i pakrahasueshëm. Dijet janë rruga e qëndrueshme drejt të ardhmes e mirëqenies. Prandaj gjithnjë e më shumë vëmendje e burime për shkollën dhe arsimin”, shprehet kryeparlamentari Ruçi.
Urime pati edhe kryetari i PD, Lulzim Basha dhe drejtuesja e LSI, Monika Kryemadhi. Ndërsa kryeministri Edi Rama zgjodhi t’i urojë mësuesit me një shprehje të filozofit kinez, Konfucit: “Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë”.



