Policia e Kukësit ka vënë në pranga dy inspektorë të “SGS Albania”, me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Dy inspektorët u arrestuan pas një operacioni të koduar “SGS-25”, i cili u organizua pas hetimit njëmujor, që zbuloi se ata kalonin në kolaudim, kundrej pagesës, mjete që nuk i plotësonin kriteret teknike. Të arrestuarit janë Bujar Syla, 44 vjeç, dhe Ermal Islamaj, 32 vjeç.
Njoftimi i policisë
Finalizohet me sukses nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik- Financiar, operacioni anti-korrupsion, i koduar “SGS-25”. Arrestohen në flagrancë dy inspektor teknik pranë "SGS Auto Albania", Kukës. Më datë 25.05.2017, Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, në vijim të punës për goditjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që ushtrojnë veprimtari kriminale të korrupsionit, si dhe në kuadër të procedimit penal të nisur më parë, finalizuan me sukses operacionin e koduar "SGS-25”.
Në kuadër të këtij operacioni, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: -Ermal Islamaj, 32 vjeç, banues në Kukës, me detyrë inspektor teknik pranë "SGS Auto Albania", Kukës. -Bujar Syla, 44 vjeç, banues në Kukës, me detyrë inspektor teknik, pranë "SGS Auto Albania", Kukës. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi në kuadër të hetimit proaktiv një mujor, këta shtetas dyshohet se në kohë të ndryshme kalonin automjetet të llojeve të ndryshme në kolaudim, kundrejtë pagesës, jashtë kushteve teknike. Materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.



