Kryeministri Edi Rama ka mbërritur i përpiktë në orën 12.00 në Kryesinë e Kuvendit, ku është thirrur për tu marrë në pyetje në komisionin hetimor për inceneratorët.
Lidhur me këtë dëshmi, kreu i qeverisë është shprehur se komisioni nuk mund të ngrejë akuza penale dhe as mund të ngrejë akuzat e gjykatës, pasi nuk lejohen anëtarët e komisionit të fyejnë personat e thirrur apo hetuar.
“Këtë e keni bërë në mënyrë të përsëritur dhe është përsëritur akuza e grupit të strukturuar kriminal. Këtu kam ardhur si dëshmitar ju kërkoj të bëni punën tuaj në respekt të ligjit, në këtë komision mos eksportoni debatin parlamentar apo televiziv. Jam këtu për të ndihmuar në zbardhjen e së vërtetës, nëse dëshironi të mbetemi të tillë deri në fund respektoni ligjin edhe ju”, u shpreh Rama.
Gjithçka teksa u pyet nga kryetarja Jorida Tabaku për “aferën” e inceneratorëve, por tha se nuk mund të cilësohet si e tillë në komision, kur është thirrur si dëshmitarë dhe opinionet nuk mund të shprehen aty.
I pyetur nëse Lefter Koka është pronar përfitues, Rama e cilësoi si një pyetje të eksportuar nga debatet televizive dhe tha se njeh Lefter Kokën si ministër Mjedisi dhe jo pronar përfitues.
Dëshmia e Ramës, është e fundit në cilësinë e dëshmitarit për rolin dhe vendimmarrjen e tij si Kryeministër gjate tre procedurave koncensionare.



