Italia ka shënuar numrin më të ulët të viktimave që në fillimet e pandemisë së koronavirusit. Janë 431 viktimat gajtë 24 orëve të fundit,ose 188 jetë të humbura më pak se një ditë më parë.
Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga mediat italiane, numri total i viktimave ka arritur në 19 mijë 899, ndërsa është ulur gjithashtu edhe numri i të prekurve. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 4092 raste të reja të infektuarish me koronavirus.
Në total në Itali me Covid 19 janë të prekur 156 363 persona, duke e renditur Italinë në vendin e tretë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Spanjës.
Në Lombardi, situata është paraqitur më e stabilizuar në krahasim me javët e fundit, ku orët e fundit janë regjistruar 110 viktima dhe 1460 raste të reja të infektuarish.
Gjithashtu është ulur edhe numri i personave që ndodhen në terapi intensive.
Autoritetet italiane kanë vendosur të shtyjnë masat e izolimit deri më 3 maj, në kuadër të përpjekjeve për të luftuar koronavirusin.
Në total janë mbi 12 500 persona të ndëshkuar për mosrespektimin e rregullave për kufizimin e lëvizjes.



