Nënprefekti i Qarkut Vlorë, Kristo Kiço, në një intervistë për MCN deklaroi se situata e zjarreve në jug është aktualisht nën kontroll, falë angazhimit të forcave zjarrfikëse dhe ndërhyrjes nga ajri me tre helikopterë.
Sipas tij, fshati Kostar ishte zona më e rrezikuar, ndërsa, megjithëse nuk pati banesa të dëmtuara, u dogjën sipërfaqe me ullinj. Kiço theksoi se forcat do të mbeten në gatishmëri gjatë natës, pasi rreziku i riaktivizimit të vatrave nuk përjashtohet.
Intervista:
-Z. Kiço si paraqitet situata me zjarret në Qarkun Vlorë?
Sot në fakt ishte prova e parë e vështirë për zonën e jugut. Në këto momente zjarri është në kontroll dhe janë angazhuar të gjithë forcat zjarrfikëse të jugut. Ajo që bëri ndryshimin ishte ndërhyrja nga ajri, ku 3 helikopterë kanë punuar për të shuar flakët. Fshati Kostar është rrezikuar më shumë sepse zjarri është afruar pranë banesave. E mira e kësaj ditë është që nuk ka patur djegie të banesave, por janë djegur mjaftë ullinj. Ajo që duhet vlerësuar është që era ka rënë dhe kjo ka ndihmuar që flakët të shuhen shpejtë.
-Si ka qenë bashkëpunimi mes instancave, a kanë ardhur në kohë helikopterët, pasi Partia Demokratike ka ngritur shqetësime për vonesa në ndërhyrje?
Ka një procedurë te kjo dhe protokoll, është njoftuar nisja e helikopterit dhe pas nisjes së të parit ka vazhduar dhe është kërkuar mjet tjetër dhe ishin 3 mjete nga ajri që kanë ndihmuar në fikjen e zjarrit.
-Ku shihni rrezik për në orët e ardhme, pra ndoshta një riaktivim të vatrave?
Temperaturat kanë qenë shumë të larta dhe në këto momente është në kontroll. Asnjëherë nuk përjashtohet mundësia që zjarri të fillojë dhe të përhapet në vatra të tjera. Forcat do të jenë në gatishmëri për gjatë gjithë natës.



