Diplomati Agim Nesho e sheh si pozitive për Shqipërinë zgjedhjen e Joe Biden si president i SHBA-ve.
Në një bisedë në studion e lajmeve në TvT, Nesho tha se me fitoren e Biden, hapësira për bashkëpunim mes dy vendeve rriten.
“Me administratën e tanishme, Shqipëria mbetet vend i favorizuar. Jemi të destinuar të kemi një marrëdhënie të gjatë me SHBA. Mendoj që politika e SHBA ndaj Shqipërisë dhe hapësirave shqiptare do të ketë karakter bashkëpunimi. Mendoj që ka diferenca, presidenti Trump ka një vizion ndryshe në politikat e jashtme. Është i larguar nga memoria historike. Ardhja e një administrate Biden është shumë pozitive për ne. Një president si Biden që ka kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme në zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, ka eksperiencë si senator dhe është brenda një platforme të njohur që i shërben interesave të Shqipërisë. Vazhdimi i një administratës Trump mund të vërë para shumë të panjohurave. Kjo sa i përket çështjes së Kosovës. Në këtë lojë, një administratë e Trump-it do të sillte disa pasiguri. Një administratë e Biden do të jetë pozitive jo vetëm për Kosovën, por edhe për Shqipërinë, pasi kjo administratë do të kthejë në normalitet aleancat e SHBA-ve në botë. Biden do të bashkëpunojë më mirë me Europën e bashkuar. Ardhja e administratës Biden do të rikthejë në politikën e jashtme amerikane vlerat dhe principet e demokracisë. Do të jetë mirë edhe për Shqipërinë, që aktualisht kalon në krizë institucionale”, tha Nesho.



