Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka njoftuar hapjen e procedurës së tenderit me objekt “Investime për transformimin e aseteve publike me potencial zhvillimi në modele të standartit më të lartë të zhvillimit, Loti 1 “Parku Multifunksional, Tiranë”.
Fondi i vënë në dispozicion është 5.8 miliardë lekë
Çudia qëndron në faktin se për zbatimin e një projekti me vlerë kaq të madhe, mungon vetë projekti dhe vendi ku ky i fundit do të zbatohet. Mbi këtë fakt, qëndrojnë dyshimet për një fitues të paracaktuar, pasi për realizimin e tenderit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ka zgjedhur që edhe procedura të jetë e kufizuar.
Kjo procedurë parashikon që autoriteti kontraktor, fton në tenderim, vetëm ata operatorë ekonomik të cilët i plotësojnë kërkesat minimale, në lidhje me aftësinë profesionale apo teknike, përvojën, ekspertizën dhe kapacitetet financiare.
Sipas Fondit Shqiptar të Zhvillimit kjo ndërhyrje është parashikuar të financohet në kuadër të Programit Operacional 2022-2024 , miratuar me Vendimin Nr. 225 Datë 23.03.2022 të Këshillit Drejtues të F.SH.ZH, ç`ka do të thotë se ky institucion ka pasur gjashtë muaj kohë për të përcaktuar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, vendin apo vendet e zbatimit të projektit.
Në detajet e zërave të punimeve “Xhadat” zbuloi se këto para do të shkojnë për ndërtimin e disa hapsirave sportive. Me konkretisht; ndërtimin e një fushe basketbolli, një fushe tenisi, 2 fusha volejbolli, fushës së golfit, zonës Fit Play dhe palestër e hapur, paint ball, base ball dhe zona e qitjes.
“Projekti pritet të sjell, përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve; dhe rritjen e nivelit të kënaqësisë së tyre”- thuhet në dokumentet e tenderit.
Po ashtu ai synon rikthimin e hapësirës publike në shërbim të komunitetit banues dhe edukimin e vizitorëve përmes implementimit te lojërave të ndryshme me karakter social dhe historik.
Autoriteti Kontraktor, ka pranuar si kriter nënkontraktimin në masën deri 40%. Pagesa do të kryhet direkt nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Vlera e nënkontraktortit është shumë e lartë. Nga një llogari e thjeshtë rezulton se 2.3 miliardë lekë do jepen me nënkontraktim.
Ligji “Për Prokurimin Publik” në nenin 126 parashikon se në rastin e nënkontraktimit, përgjegjësinë për zbatimin e kontratës ndaj Autoritetit Kontraktor e mban vetëm fituesi i tenderit dhe jo nënkontraktori.
Kriter për përzgjedhjen e fituesit të tenderit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka përcaktuar “Ofertën ekonomikisht më të favorshme, bazuar në kosto”, dhe jo ofertën më e ulët.



