Biznesmeni Marian Kocner, biznesmeni i akuzuar për urdhërimin e vrasjes së gazetarit hulumtues Jan Kuciak dhe të fejuarës së tij në 2018, një ngjarje që tronditi Sllovakinë, u shpall i pafajshëm. I akuzuari tjetër është dënuar me 25 vjet burg për pjesëmarrje në vrasje. Por gjykatësit konkluduan se prokurorët nuk arritën të provojnë se Kocner dhe një i pandehur i tretë ishin urdhëruesit e vrasjeve.
Vrasjet e dy viteve më parë shkaktuan protesta masive, duke çuar në rrëzimin e qeverisë së kryeministrit populist Robert Fico.
Vendimi u dha nga gjykata në Pezinok, në veri të kryeqytetit Bratislavë.
"Krimi është kryer por nuk është provuar që Marian Kocner dhe Alena Zsuzsova urdhëruan vrasjen," tha gjyqtarja Ruzena Sabova në vendimin e saj.
"Gjykata, pra, i shfajëson të pandehurit."
Gjykata e detyroi Kocner të paguante 5 000 € gjobë për posedim të armëve të paligjshme, pasi ishin gjetur 60 plumba në shtëpinë e biznesmenit.
Gjykatësi madje nuk kishte mbaruar së lexuari vendimin e saj kur të afërmit e Kuciak dhe të fejuarës së tij Martina Kusnirova u larguan nga salla e gjyqit, raporton BBC.
Gjasat janë që prokurorët ta apelojnë vendimin, i cili erdhi si një befasi.
Kocner, 57 vjeç, gjithmonë ka mohuar çdo përfshirje në vrasje.
"Unë nuk jam shenjtor, por nuk jam as vrasës. Unë sigurisht nuk jam një budalla që nuk do ta kuptojë se ku do të më çonte vrasja e një gazetari", i tha ai gjykatës.
Kocner do të mbetet në burg pasi u dënua këtë shkurt me 19 vjet për falsifikim në një çështje tjetër.
Kush ishte Jan Kuciak?
Kuciak dhe e fejuara e tij u qëlluan për vdekje në shtëpinë e tyre pranë kryeqytetit Bratislavë, në 21 shkurt 2018. Të dy ishin 27 vjeç.
Në prill, ish-ushtari Miroslav Marcek u burgos për 23 vjet pasi pranoi se kishte kryer vrasjet dhe një i dyshuar tjetër u burgos për lehtësimin e sulmit.
Kuciak punoi për aktuality.sk si reporter hulumtues. Ai shkroi për biznesmenët e korruptuar në Sllovaki, subvencionimin e BE-së dhe mashtrimin me TVSH-në, si dhe mafien famëkeqe të Italisë ’Ndrangheta dhe përpjekjet e saj për të kultivuar marrëdhënie me politikanë sllovakë.
Kocner është përmendur shpesh në artikujt e Kuciak.



