
Vendin e kreut të vrarë të Hamasit, Ismael Haniyeh mund ta zërë Khaled Meshal, një personazh me përvojë me një veti të veçantë, ai është “i mbijetuar”.
Në vitin 1997 ai i shpëtoi një atentati të synuar nga Mossad. Më 25 mars të atij viti, udhëheqësi i Hamasit mbërriti me makinë përpara zyrës së tij në Aman, Jordani, i shoqëruar nga një eskortë. Zbriti nga makina dhe u përplas nga një kalimtar muskuloz. Sipas dëshmitarëve ai kishte një objekt të vogël në dorë me të cilin preku veshin e palestinezit.
“Sikur të më kishte goditur një tronditje e jashtëzakonshme”, tha asokohe Meshal.
Ai u dërgua me urgjencë në spital, por gjendja e tij u përkeqësua menjëherë dhe sipas mjekëve ishte helmuar.
Shërbimet jordaneze të sigurisë bëjnë punën e tyre, i detyruan dy të arrestuarit të flasin. Ata ishin agjentë të Mossad-it që shfaqeshin si turistë kanadezë, një kombësi e rreme që përdoret shpesh nga inteligjenca izraelite.
Të dyshuarit kishin kolegë të tjerë në mbështetje të cilët u strehuan në ambasadë, të gjithë pjesë e njësisë Kidon, të trajnuar për të vrarë.
Me armë ose me “ilaçin e Zotit”, substancat toksike të krijuara për të maskuar një vrasje si vdekje nga shkaqe natyrore.
Sulmi ndaj Meshalit tërboi Mbretin Husein të Jordanisë, amerikanët lëvizën, nisën kontaktet urgjente me kryeministrin izraelit, Benyamin Netanyahu.
Sundimtari hashemit ishte i vendosur, ai kërkoi që Tel Avivi të korrigjojë katastrofën dhe fiton shumë: Mossad u detyrua të japë antidotin ndërsa qeveria duhet të lironte Sheikh Ahmed Yassin, udhëheqësin shpirtëror të Hamasit, i cili më pas u eliminua në 2004 në Gaza.
Historia shpjegon mirë se si një goditje e bujshme mund të kthehet kundër me pasoja të papritura.
Meshal e përshkroi sprovën si “një lindje të dytë”. Sapo ringrit në këmbë, u fut edhe një herë në karrierën politike që filloi në një moshë shumë të re.
I lindur në Silwad, në Bregun Perëndimor, në vitin 1956, ai studioi në Kuvajt dhe u bë mësues përpara se t’i bashkohej ideologjisë së Vëllazërisë Myslimane, një portë për në Hamas.
Anëtar i zyrës politike, ai punoi jashtë vendit duke mbajtur marrëdhënie me vendet dhe lëvizjet arabe.
Jordania, e cila e kishte shpëtuar, e dëboi në vitin 1999 pas një sërë arrestimesh të militantëve dhe udhëtimit të tij në Teheran. Ai vazhdoi të luajë një rol të rëndësishëm duke vepruar në diasporë, fillimisht me bazë në Katar dhe më vonë në Siri.
Ai u konsiderua shpesh si një i linjës së ashpër, duke u quajtur një “diversant i dialogut”, por ai mori pjesë në negociatat për ushtarin izraelit Shalit të rrëmbyer nga milicët në Gaza dhe të liruar me një shkëmbim të madh të burgosurish. Përsëri, situata që përsëriten në mënyrë ciklike.
Në vitin 2012 ai u dëbua nga Damasku dhe shkoi në Katar sepse regjimit të Asadit, së bashku me Iranin, nuk i pëlqente mbështetja e tij për rebelët sunitë.
Një vendim që e detyron atë të rifillojë “pelegrinazhin” në Lindjen e Mesme duke ruajtur ende një rol të rëndësishëm.
Pesë vjet më vonë ai ia la drejtimin e Byrosë Politike Ismael Haniyeh, një ndryshim i diktuar nga fërkimet e brendshme, por nuk e braktisi luftën. Tani sugjerohet ngritja e tij në krye të Hamasit, për “jetën e tij të tretë”.



