Policia në Ekuador ka arrestuar gjashtë persona për vrasjen e kandidatit presidencial Fernando Villavicencio, ka thënë Ministria e Brendshme. Politikani u qëllua në mes të ditës në një tubimi të fushatës në fillim të kësaj jave, disa ditë përpara zgjedhjeve të ardhshme.
Ministri i Brendshëm Jose Serrano konfirmoi arrestimet në një konferencë shtypi të enjten, duke vënë në dukje se autoritetet janë ende në kërkim të organizatorit pas atentatit. Gjashtë të dyshuarit u identifikuan si Andres M., Jose N., Eddy G., Camilo R., Jules C. dhe Jhon Rodriguez, të gjithë shtetas kolumbianë që thuhet se kishin lidhje me grupet e organizuara kriminale.
Associated Press tha se burrat u kapën gjatë një bastisjeje në një shtëpi në Quito. Një sasi e madhe armësh u gjet nga policia, duke përfshirë tre granata dore, një automatik, disa pistoleta dhe një pushkë.
Një aktivist kundër korrupsionit dhe ish-deputet, Villavicencio u vra nga një breshër plumbash teksa po largohej nga një aktivitet fushate në kryeqytetin ekuadorian të mërkurën, ku dëshmitarët raportuan dhjetëra të shtëna. Një nga agresorët, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, u vra në një shkëmbim zjarri me policinë po atë ditë, sipas zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Ekuadorit.



