Situata e infektimit me koronavirus në shkolla po përshkallëzohet nga dita në ditë, dhe përgjegjëse për këtë, sipas kreut të sindikatës së arsimit Nevruz Kaptelli, është Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit si dhe autoritetet vendore. Nga studio e TvT, Kaptelli tha se masat nuk po zbatohen më, ndërsa mungon dezinfektimi i klasave edhe në rastet kur mësuesit dalin të infektuar.
“Në shumë shkolla nuk zbatohen masat, sidomos nga rrethet, ku na vijnë informacionet, mungojnë detergjentët, dezinfektantët, dhe për më keq mungon edhe uji aty, dhe numri i mësuesve të infektuar po vjen gjithnjë duke u shtuar, dhe po fillon me një fjalë dhe mbyllja e shkollave”.
Kreu i sindikatës së arsimit foli për sinjalizime sipas të cilave shkollat do të mbyllen në fund të muajit, por ai u shpreh kategorkisht kundër mbylljes së shkollave në vend.
”Një informacion jo zyrtar, e kemi, që mendohet që në fund të festave të nëntorit, mund të mbyllen shkollat. Kjo është e papranueshme nga ana jonë, nuk ka asnjë arsye qe të mbyllen shkollat në terësi në të gjithë vendin, shkollat do të mbyllen në ato shkolla, ku numri i nxënësve dhe mësuesve të infektuar është i madh, por mbyllja mud të përcatohet në rajone të caktuara, në njësi vendore mësimore të caktuara, aty ku vetë ekspertët e shëndetësisë e shpallin si zonë të kuqe”.



