
Fermerët e Semanit të Ri, në Fier, janë ngritur në protestë kundër ndërtimit të një parku fotovoltaik që pritet të shtrihet në mbi 1 mijë hektarë tokë shtetërore, e cila prej dekadash është punuar nga banorët.
Duke folur për emisionin “Fol” në MCN TV, aata e konsiderojnë këtë projekt një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetesën dhe të ardhmen e tyre.
“Jam fermer me 300 lopë dhe 500 dele. Kultivoj 150 hektarë, 23 prej të cilave janë të shtetit, ku kemi stanet dhe stallat. Tani vijnë e na thonë: largohuni!”, thotë njëri prej tyre.
Sipas tyre, nuk është vetëm toka që humbet, por edhe zinxhiri i të gjithë prodhimit bujqësor dhe blegtoral.
Vetëm familja jonë prodhon 2 ton qumësht në ditë. Nëse na marrin tokën, do t’i heqim lopët. 2 ton më pak në treg çdo ditë.
Fermerët theksojnë se nuk janë kundër investimeve, por kundër mënyrës si po zhvillohet ky proces, pa transparencë dhe pa asnjë dëgjesë me komunitetin.
Asnjë nuk ka ardhur të na dëgjojë. Punojmë tokën prej 30 vitesh dhe nuk kemi asnjë certifikatë. Atij investitorit ia japin për 1 euro metri katror, ndërsa neve s’na japin as të drejtën të vazhdojmë jetën.
Mungesa e subvencioneve dhe pamundësia për të përballuar kostot po i shtyn të rinjtë drejt emigrimit.
Jam 24 vjeç, merrem me bagëti që kur isha fëmijë. Po më morën tokën, nuk kam nga t’ia mbaj. Djali im do iki jashtë.
Përballë akuzave, qeveria ka deklaruar se tokat me potencial të lartë bujqësor nuk do të preken.
“Në asnjë mënyrë nuk do lëshojmë terrene prodhuese,” ka deklaruar kryeministri Rama, ndërsa ministrja Denaj shtoi se projektet do zhvillohen në përputhje me ligjin dhe me interesat e komunitetit. Por fermerët nuk e besojnë këtë.
Po të vihet paneli, mbaron gjithçka. Ajka e tokës do të shndërrohet në panele. Nafta është 1.7 euro litri, bagëtitë nuk shiten, na kanë bllokuar shelegët, dhe tani duan edhe tokën.
Apeli i tyre është i qartë: “Na lini të vuajmë në tokën tonë, të jetojmë nga puna jonë. Nëse nuk ndërhyni, do shesim shtëpitë dhe do ikim.”



