
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, janë sekuestruar dy apartamente, përkatësisht një apartament 1+1 dhe një apartament 2+1, si dhe një garazh, në kuadër të procedimit pasuror nr. 02 të vitit 2026 ndaj shtetasit A.A., i dënuar me 10 vite burgim për veprën penale të "Trafikimit të lëndëve narkotike".
Nga hetimet e kryera rezultoi se të ardhurat e ligjshme të dokumentuara të shtetasit A.A. dhe familjarëve të tij nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet dhe investimet e kryera në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.
Sipas hetimit pasuror, ai ka qenë në pamundësi financiare për të justifikuar investimet e realizuara në këto prona.
Akti i ekspertimit kontabël dhe dokumentacioni i administruar kanë evidentuar se pasuritë e identifikuara dhe të zotëruara nga subjektet e këtij procedimi plotësojnë kriteret e parashikuara në nenet 11 dhe 24 të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009, për sekuestrimin dhe/ose konfiskimin e pasurive. Hetimi ka konstatuar një disproporcion të dukshëm ndërmjet pasurive të zotëruara dhe të ardhurave të ligjshme të deklaruara, të cilat nuk mjaftojnë për të justifikuar krijimin e tyre.
Në përfundim të hetimit pasuror, Prokuroria vlerëson se është provuar se shtetasi A.A. ka qenë i përfshirë në veprimtarinë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, të parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal. Sipas organit të akuzës, nga kjo veprimtari janë krijuar pasuri që rezultojnë në shpërpjesëtim të dukshëm me të ardhurat e ligjshme të deklaruara dhe, për rrjedhojë, nuk justifikohen me burime të ligjshme.
Në zbatim të vendimit të gjykatës, janë sekuestruar këto pasuri:
Një apartament 1+1 me sipërfaqe 66.33 m², së bashku me një verandë me sipërfaqe 44 m², në një kompleks multifunksional në Rrugën "Xhanfize Keko";
Një apartament 2+1 me sipërfaqe 87.9 m² dhe një garazh me sipërfaqe 16 m², në katin -2 të një kompleksi multifunksional në ndërtim në Rrugën "Kahreman Ylli".



