Ambasada e SHBA në Tiranë ka reaguar pas largimit të ish-deputetit Armando Prenga nga parlamenti.
Me anë të një njoftimi drejtuar mediave, Ambasada e SHBA-ve pohon se personat me dosje penale nuk kanë vend në Kuvend. Më tej ambasada në deklaratën e saj thekson shqiptarët meritojnë të kenë një sistem politik dhe gjyqësor të pastër.
“Personat me dosje penale nuk kanë vend në parlamentin, gjykatat, qeverinë, apo bashkitë e një vendi anëtar të NATO-s i cili gjithashtu synon t’i bashkohet BE-së. Inkurajojmë qytetarët shqiptarë dhe institucionet shqiptare të jenë vigjilentë për parandalimin e kriminelëve nga kandidimi në zgjedhjet e 18 qershorit. Shqiptarët meritojnë të kenë një sistem politik dhe gjyqësor të pastër, pa ndikimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Ditën e djeshme socialisti Armando Prenga dorëzoi mandatin e deputetit. Me anë të një letre dërguar kreut të Kuvendit Ilir Meta, ai sqaroi dhe arsyet e dorëheqjes. Në letrën e ish-deputetit socialist thuhej se vendimi u mor për qetësinë e tij dhe të familjes, ndërsa i konsideroi shpifje dhe të padrejta deklaratat e opozitës për të.



