
Vatikani i ka kthyer Greqisë tre fragmente të skulpturave të Parthenonit të mbajtura nga Vatikani prej shekujsh. Vendimi për kthimin e mermereve 2500-vjeçare u njoftua nga Papa Françesku vitin e kaluar, i cili e cilësoi vendimin si një gjest miqësie.
Një nga fragmentet paraqet kokën e një djali, tjetri kokën e një kali dhe i treti kokën e një burri me mjekër. Ato u zbuluan në një ceremoni në Muzeun e Akropolit në Athinë, një hapësirë ekspozite e ndërtuar qëllimisht për të vendosur Mermeret e Partenonit.

Zyrtarët grekë theksuan se kthimi i fragmenteve ishte një hap drejt kthimit të mëtejshëm të skulpturave të Parthenonit, duke iu referuar kryesisht koleksionit shumë më të madh të mbajtur në Muzeun Britanik që Greqia është përpjekur të rikuperojë prej dekadash.
Ministrja e Kulturës e Greqisë, Lina Mendoni, e cilësoi vendimin si heroik duke shtuar se "Iniciativa si këto tregojnë rrugën që ne mund të ndjekim... në mënyrë që uniteti i Partenonit të rivendoset".

Në një përpjekje fillestare për të mbajtur larg polemikave, Vatikani ka qenë i kujdesshëm për ta cilësuar kthimin një "dhurim" për kryepeshkopin ortodoks të Athinës dhe të gjithë Greqisë, Ieronymos II, dhe jo një transferim nga shteti në shtet.
Oferta u pranua menjëherë nga Ieronymos II i cili tha se fragmentet do të shkonin në Muzeun e Akropolit. Në ceremoninë në Athinë, ai e përshkroi gjestin e Papa Françeskut si një "me rëndësi historike". Ai shprehu gjithashtu një dëshirë “që të tjerët ta imitojnë atë”.
Muzeu Britanik nuk lejohet me ligj të kthejë përgjithmonë veprat e artit në Greqi, por raportet gjatë vitit të kaluar kanë sugjeruar se është bërë përparim në gjetjen e një zgjidhjeje.




