
Tre parti të opozitës PR, PAA dhe LSI, përkatësisht aleatët e PD-së, i janë drejtuar sot me një kërkesë KQZ për fillimin e procedurave për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 13.10.2019.
Duke e konsideruar të paligjshëm 30 qershorin, partitë opozitare theksojnë në kërkesë se "me datë 27.06.2019, Presidenti i Republikës me Dekretin e tij nr. 11 211, datë 27.06.2019 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, caktoi si datë të re zgjedhjesh, datën 13 tetor 2019, dekret i cili është në fuqi dhe i pa kontestuar nga askush".
Në të tilla kushte sipas tyre KQZ në bazë të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë dhe veçanërisht neneve 2, 10 dhe 21 e vijues të tij ka detyrimin ligjor që pas dekretimit të datës së zgjedhjeve të fillojë përgatitjet për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Partitë opozitare kërkojnë nga KQZ marrjen pa vonesë të të gjitha masave përkatëse për të organizuar procesin zgjedhor të datës 13.10.2019, sipas Dekretit të Presidentit në fuqi.
Subjektet:
Partia Republikane e Shqipërisë (PRSH)
Fatmir Mediu (Kryetar)
Partia Agrare Ambjentaliste e Shqipërisë (PAA)
Agron Duka (Kryetar)
Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI)
Endrit Braimllari (Sekretari i Përgjithshëm)
Zyra për shtyp e KQZ njoftoi se Komisioni do të mblidhet të shtunën (3 gusht) ora 10:00 për shqyrtimin e kësaj kërkese. Mbledhja mësohet se është kërkuar nga kryetari i KQZ-së, Klement Zguri.



