
Alesandër Biberaj, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD ka zgjedhur të mbështesë ish-liderin Sali Berisha dhe kuvendin e 11 dhjetorit.
Nga studio e lajmeve të MCN TV, Biberaj tha se PD është në momentin më të vështirë, ndërkohë që u shpreh se Basha, delegatët dhe anëtarët e tjerë kanë ende kohë të bashkohen dhe të luftojnë me kundërshtarët dhe jo brenda llojit.
Pyetjes se në çfarë pozitash do ishte PD në raport me aleatin strategjik SHBA, nëse në krye do kishte një kryetar që është shpallur non grata, Biberaj iu përgjigj duke thënë se pavarësisht problemeve që Berisha po i zgjidh në mënyrë ligjore, partneriteti me SHBA është esencial.
Lidhur me mbështejen e Berishës për Bashën, Biberaj tha se ka qenë gabim dhe sipas tij fakti që në PD nuk ka pasur garë të hapur ka çuar PD në këtë situatë dhe humbje të njëpasnjëshme.
Intervista:
Çfarë ka bërë Basha që humbi mbështetjen tuaj?
Biberaj: Qëndrimet e mia kanë qenë parimore pavarësisht marrëdhënieve me Bashën dhe Berishën. PD është në momentin më të vështirë. Duke parë humbjet e njëpasnjëshme, mendova se zgjidhja më e mirë do të ishte kuvendi i Berishës më 11 dhjetor dhe më pas të kalohet në protesta e mitingje për të bërë përmbysjen e kësaj qeverie.
Keni planifikuar lëvizjet e radhës?
Biberaj: Unë do jem në kuvendin e datës 11 që do të marrë vendime për të ardhmen. Aty do vendoset edhe për protesta. Unë jam mbështetës i protestave.
Z. Biberaj, dy kuvende, në një parti që është në opozitë dhe është përballur me humbje të njëpasnjëshme në zgjedhje. Shumë kritikë, u akuzojnë se po përçani PD. Si do jetë kjo forcë politike pas këtyre dy kuvendeve?
Biberaj: Ka ende kohë që ata t’i bashkohen kuvendit të 11 dhjetorit, unë nuk jam për përjashtime. Basha dhe anëtarët e tjerë kanë ende kohë të bashkohen dhe të luftojmë me kundërshtarët dhe jo brenda llojit. Kuvendi i 18 dhjetorit do jetë anti kuvend i datës 11 dhjetor. Unë jam për përfshirjen e të gjithëve.
U hodh ideja e një kuvendi të përbashkët...
Biberaj: Unë kam shpresuar, por u mor një vendim tjetër që shkon në kundërshtim me anëtarët e PD.
Z. Biberaj, sot pasdite z. Berisha do ketë Fotloren e radhës me shqiptarë që janë në SHBA. Ai ka deklaruar se jo vetëm do kërkojnë rikthimin në krye të PD, por ka edhe ambicien për të qenë kryeministër. Pyetja që shtrohet është, në çfarë pozitash do ishte PD në raport me aleatin tonë strategjik, SHBA, nëse në krye do kishte një kryetar që është shpallur non grata?
Biberaj: Këto që ju thoni janë hipoteza, PD ka qenë dhe është aleat shumë i ngushtë i SHBA. Vokacioni i PD mbetet i pandryshuar pavarësisht problemeve që Berisha po i zgjidh në mënyrë ligjore. Partneriteti ynë me SHBA është esencial. Pastaj gara do të jetë e hapur, unë di të them që PD ka kapacitete, ka njerëz të zgjuar dhe të të gjitha profesioneve. Gara është mënyra e vetme që përdor PD për të fituar.
Mendoni se gaboi z. Berisha kur mbështeti Lulzim Bashën?
Biberaj: Ka qenë gabim i padiskutueshëm mbështetja e Bashës. PD në atë kohë kishte kapacitete dhe gara mund të ishte shumë më e hapur, por që prej 2013-ës ne nuk kemi pasur gara. Ka pasur deformime gjatë kësaj periudhe dhe shuarja e garës na ka çuar në këtë pikë që jemi sot. Por çfarë ka ndodhur ka ndodhur dhe nuk e zhbëjmë dot, por unë nuk do ta shikoja fatin e PD të lidhur me fatin e Bashës apo Berishës. Kjo lëvizje nuk është për të mbështetur Berishën apo mos mbështetur Bashën, ngrihet mbi to që është interesi i simpatizantëve të PD që është interesi mikro dhe interesi makro është ai i Shqipërisë.



