KQZ merr sot vendimin për mandatin e 34-t në Tiranë. Komisioni Qendor i Zgjedhjeve do të marrë në shqyrtim sot dy kërkesat ankimore të PS dhe PDIU për rezultatin e Tiranës.
Të dyja kërkesat kanë për objekt hapjen e një numri të caktuar kutish dhe rinumërimin e votave. PS ka pretendime për rezultatin e nëntë kutive në Tiranë, ku ata pretendojnë se PDIU-së i janë shënuar më shumë vota se sa ka marrë realisht.
Këto pretendime, sipas PS, vërtetohen edhe nga pamjet filmike por edhe nga vlerësimet e bëra nga vëzhguesit në vendet e numërimit të votave.
Gjithashtu, edhe PDIU kërkon hapjen e kutive. Janë 29 kuti votimi të cilat sipas PDIU kanë prodhuar një rezultat të rremë për këtë forcë politike. PDIU pretendon se në këto kuti gjenden më shumë vota nga sa i janë shënuar kësaj force politike në tabelën e rezultateve të Tiranës.
Këto vota, sipas PDIU, do bëjnë të mundur kapërcimin e pragut elektoral në Qarkun e Tiranës dhe për rrjedhojë marrjen e mandatit të Shpëtim Idrizit, i cili për 37 vota humbi mandatin e deputetit.



