
Rikthehen bastet sportive online. Qeveria ka zbardhur rregullat teknike dhe procedurat e licencimit. Sipas rregullave të reja, në treg nuk do ketë më shumë se 10 licenca kombëtare. Gara për këto licenca do të bazohet në një sistem vlerësimi me 100 pikë. Kriteret kryesore për përzgjedhjen janë oferta ekonomike për tarifën e licencimit dhe përvoja në fushën e lojërave të fatit. Secila vlerësohet me 30 pikë. Kapacitetet organizative e administrative vlerësohen me 20 pikë, standardet e zgjidhjeve softuerike me 15 pikë, dhe planbiznesi trevjeçar me 5 pikë. Subjektet kanë afat 45 ditor nga thirrja për të dorëzuar dokumentacionin. Tarifa e aplikimit prej 500 mijë lekësh është e pakthyeshme.
Nuk mungojnë edhe kushtet e rrepta teknike. Sistemet duhet të kenë arkitekturë të sigurt me mikroshërbime, shpërndarës ngarkese dhe komunikim të enkriptuar. Regjistrimi kërkon ngarkimin e një dokumenti identifikimi të skanuar, verifikim të thelluar dhe fjalëkalim të fortë. Kjo bëhet me qëllim shmangien e llogarive fiktive dhe pjesëmarrjen e të miturve në lojërat e fatit. Sipas këtyre rregullave, lojtarët nuk mund të kenë më shumë se një llogari aktive.
Në funksion të transparencës dhe luftës kundër informalitetit, çdo platformë duhet të integrohet në kohë reale me Sistemin Qendror të Monitorimit Online (SQMO). Po ashtu, edhe tek sistemet e administratës tatimore e doganore, duke regjistruar automatikisht çdo biletë basti dhe transaksion bankar. Këto masa pamundësojnë fshirjen apo manipulimin e biletave.
Nëse operatorët përdorin Inteligjencë Artificiale për shërbimet e basteve, kanë detyrim ligjor të publikojnë logjikën e algoritmit për të garantuar transparencë të plotë.
Po ashtu, aspekti i rëndësishëm social është lufta ndaj varësisë nga lojërat e fatit. Platformat detyrohen t'i ofrojnë lojtarëve mjete teknike të thjeshta për vetëpërjashtim dhe vendosjen e kufijve ditorë të depozitimeve apo humbjeve.



