
Studentët e Fakultetit të Mjekësisë kanë protestuar sot përpara rektoratit të UMT-së, lidhur me një propozim të ministres së Arsimit, Evis Kushi dhe ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, me qëllim punësimin dhe kontributin e tyre në atdhe pas përfundimit të studimeve, për një periudhë të caktuar kohore. Para nisjes së studimeve, studentët e mjekësisë duhet të firmosin kontratë për të punuar të paktën tre vite në atdhe, pas përfundimit të studimeve duke i mbajtur peng diplomën, ose në të kundërt do paguajnë tarifën vjetore të shkollimit, me koston reale, vlerë e cila ende nuk është përcaktuar. Por këtë gjë, studentët e mjekësisë e kundërshtojnë. Ata thanë në protestën e sotme se në asnjë mënyrë nuk mund ti detyrojnë ata të rijnë këtu me forcë. “Kundërshtim për ministrinë e Arsimit dhe Shëndetësisë. Ne jemi të bashkuar sot për qëllimin tonë të përbashkët për refuzimit të kësaj nisme. Ne jemi të vetëdijshëm për largimin e mjekëve por nuk pranojnë detyrimin si zgjidhje. Aktin e konsiderojmë të padrejtë. Detyrimi i mjekëve për të ndenjur në Shqipëri, është shkelje e demokracisë. Ata na thanë që shtetit i duhet të shpenzojë 5 mijë euro për studentët, që nuk është fare e vërtetë pasi fakultetet kanë shumë probleme. Ne këtë nuk e pranojmë këtë as tani, as në sezon kur studentët të mos jenë këtu. Kur përballeni me fenomenin, pyesni veten se pse po ikin. Ne duam përmirësime konkrete. Përmirësoni kushtet dhe mjekët do të rrinë. Mjeku do duhet ftuar jo detyruar. Kjo është një gjobë ndaj nesh, na vë përpara faktit që të rijmë këtu 3 vite. Ne do të përshkallëzojmë kundërshtimet tona edhe më tej.



