Vetëm pak ditë para zgjedhjeve në Amerikë, aktori Robert de Niro tha se do të donte ta qëllonte me grusht Donald Trampin. Duke qeshur, ai tha se do të duhej të largohej nga SHBA-të nëse Trampi fitonte.
Në përgjigje të kësaj deklarate që u bë virale sidomos pas fitores së kandidatit republikan, një qytet në Itali i ka “hapur derën” aktorit të madh.
Kryebashkiaku i Fettazzanos, një qytezë në Molise, tha se “qyteti është i gatshëm ta presë me krahë hapur aktorin”.
Kjo ofertë nuk është e rastësishme, pasi stërgjyshërit e De Niros kanë qenë italianë me origjinë pikërisht nga kjo zonë. Ata kanë emigruar në SHBA në vitin 1890.
“Ndoshta do të më duhet të iki atje”, tha De Niro në një shou televiziv pak ditë pas zgjedhjeve presidenciale.



