
Pandemia e koronavirusit për pak nuk ndodhi, sipas një studimi të ri. Studiuesit që punojnë për të treguar se kur dhe si u shfaq virusi për herë të parë në Kinë, llogarisin që ai ndoshta nuk e infektoi personin e parë deri në tetor të vitit 2019. Dhe modelet e tyre treguan diçka tjetër: për pak virusi mund të mos ishte bërë pandemi.
Vetëm fati i keq dhe kushtet e paketimit të tregut të ushqimeve të detit në Wuhan - vendi ku duket se ka filluar pandemia - i dhanë virusit ‘ndihmën’ e nevojshme për të shpërthyer rreth globit.
"Ishte një stuhi e përsosur - e dimë tashmë që iu desh të kapte një mundësi me fat ose dy, për të hedhur themelet. Nëse gjërat do të kishin qenë thjesht pak më ndryshe, nëse personi i parë që e solli atë në tregun Huanan do të kishte vendosur të mos shkonte atë ditë, apo të ishte shumë i sëmurë për të shkuar dhe thjesht të qëndronte në shtëpi, kjo apo ndonjë ngjarje tjetër e përhapjes në fillim mund të mos kishin ndodhur. Ne mund të mos kishim ditur kurrë gjë për këtë", tha një profesor i biologjisë evolucionare në Universitetin e Arizonës, Michael Worobey.

Ekipi përdori datimin molekular, duke përdorur shkallën e mutacioneve të vazhdueshme për të llogaritur se sa kohë ka ekzistuar virusi. Ata gjithashtu drejtuan modele kompjuterike për të treguar se kur dhe si mund të ishte përhapur, dhe si u përhap.
"Studimi u krijua për t'iu përgjigjur pyetjes se sa kohë mund të ketë qarkulluar Covid në Kinë para se të zbulohej. Për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje, kombinuam tre informacione të rëndësishme: një kuptim i hollësishëm se si Covid u përhap në Wuhan para izolimit, larmia gjenetike e virusit në Kinë dhe raportet e rasteve më të hershme të COVID-19 në Kinë. Duke kombinuar këto linja të ndryshme provash, ishim në gjendje të vendosnim një kufi të sipërm të mesit të tetorit 2019 si kohë kur Covid filloi të qarkullonte në provincën Hubei”, tha një studiues tjetër.

Provat tregojnë fuqimisht se virusi nuk mund të ketë qarkulluar më parë, thanë studiuesit. Ka pasur raporte nga Italia dhe vendet e tjera evropiane të provave që virusi mund të ketë infektuar njerëz atje para tetorit. Por studimi i së enjtes tregon vetëm rreth një duzinë njerëz të infektuar mes tetorit dhe dhjetorit, sipas këtyre studiuesve. Gjithashtu studimi tregon se virusi u shfaq në provincën Hubei të Kinës dhe jo diku tjetër. Studimi u botua në revistën Science.
Përkthyer nga CNN. Ndalohet ribotimi pa burimin Mcntv.al



