
Nivelet e qëndrueshme të ulëta të sheqerit në gjak, të rregulluara nga insulina, e prodhuar në pankreas, janë një kusht i domosdoshëm për të shmangur diabetin e tipit 2.
Nëse për ndonjë arsye pankreasi nuk prodhon sasinë e nevojshme të insulinës, sasia e sheqerit në gjak mund të rritet, duke kërcënuar shëndetin tonë.
Për këtë arsye, një sërë studimesh shkencore po përpiqen të zbulojnë trajtime dhe mënyra të ndryshme për të ndihmuar pacientët me diabet.
Një studim i ri ka zbuluar se një perime shumë e njohur mund të ulë nivelin e sheqerit në gjak deri në masën 50%. Shkencëtarët e shohin këtë perime si një mënyrë të mundshme për të trajtuar simptomat e diabetit.
Më konkretisht, gjetjet shkencore të paraqitura në takimin e 97-të vjetor të Shoqatës Endokrine në San Diego, California, zbuluan se ekstrakti i qepës mund të zvogëlojë ndjeshëm nivelet e larta të sheqerit në gjak dhe kolesterolit kur jepet së bashku me ilaçin antidiabetik metformin.
Studiuesi kryesor Dr. Anthony Ojieh, një endokrinolog-diabetolog tha se qepa është lehtësisht e gjetshme dhe është përdorur si një shtesë në dietë.
Qepa duket se ka gjithashtu potencialin për t’u përdorur në trajtimin e pacientëve me diabet.
Studiuesit e testuan këtë teori te minjtë. Në total, tre grupeve të minjve diabetikë iu dha një sërë dozash me ekstrakt qepe për të parë nëse mund të përmirësonte efektin e ilaçit.
Dozat ishin 200 mg , 400 mg dhe 600 mg për kilogram të peshës trupore. Studiuesit gjithashtu i dhanë ilaçin dhe qepën 3 grupeve të minjve jo diabetikë me nivele normale të sheqerit në gjak.
Studimi zbuloi se nga minjtë diabetikë, atyre që iu dhanë 400 mg dhe 600 mg për kilogram peshë trupore treguan një ulje të niveleve të sheqerit prej 50% dhe 35% respektivisht, në krahasim me fazën fillestare.
Përveç kësaj, ekstrakti i qepës uli nivelet e kolesterolit te minjtë diabetikë. Hulumtimi zbuloi gjithashtu se ekstrakti i qepës çoi në shtim në peshë tek minjtë jo diabetikë, por jo tek ata me diabet.
Dr. Ojieh arriti në përfundimin se qepa duket se rrit normën metabolike dhe si rrjedhojë dëshirën për ushqim, duke rezultuar në rritjen e marrjes së ushqimit.
Mbetet të shqyrtohet mekanizmi përmes të cilit qepa kontribuon në uljen e glukozës në gjak.



