
Një grua 52-vjeçare në Australi ka ndërruar jetë nga një rast i rrallë dhe i rëndë i trombozës i cili, sipas autoritetit për ilaçin, "ka të ngjarë" të jetë i lidhur me vaksinën AstraZeneca.
Ky është rasti i dytë i tillë në Australi pas vdekjes së një gruaje 48-vjeçare gjatë muajit prill.
Në të dy rastet ishin prekur nga një formë e trombozës me sindromën e trombocitopenisë (TTS), një efekt anësor i rrallë i vaksinës anglo-suedeze Covid që ekspertët në të gjithë botën kanë studiuar për muaj të tërë.
Në Australi, rastet e vlerësuara si TTS pas vaksinës AstraZeneca janë deri më tani 48, me 35 të konfirmuara dhe 13 të mundshme.
Nga këta, 31 kanë dalë nga spitali, 15 janë ende në spital, përfshirë një të shtruar në gjendje të rëndë në kujdes intensiv, dhe dy kanë vdekur.



