Ish-deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj tha përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë me studion e lajmeve të MCN Tv se projektligji për partitë politike i rënë dakord mes Ramës dhe Berishës nuk sjell asnjë risi cilësore, veçse është ambalazhuar ndryshe.
Duke vijuar Alibeaj tha se raporti i OSBE/ODIHR e kritikon të gjithë projektligjin qoftë për barazinë e palëve, qoftë për mënyrën si duhet të jepet financimi publik dhe privat dhe sanksionet që do duhet të vendosen.
Projektligji i rënë dakord nga Rama dhe Berisha nuk është asgjë tjetër veçse një ambalazh, i disa rregullimeve aktuale, disa në Kodin Zgjedhor, disa në ligjin për partitë politike dhe nuk kanë bërë asgjë më shumë dhe asgjë më shumë lidhur me ndonjë pak lidhur me ndonjë risi. I kanë marrë, i kanë bashkuar. Në formë duket projektligj i ri, në përmbajtje është i njëjti rregullim.
Sipas këtij projektligji dhe rregullimeve aktuale përcaktohet se nga buxheti i shtetit rreth 80% e të gjithë shumës i shkojnë partive më të mëdha, PS-së dhe PD-së, 20% i shkon partive më të vogla që janë në Parlament ose që kanë përfaqësim në pushtetin lokal. Për partitë e reja parashikohet zero financim publik. Ky është rregullimi aktual dhe ajo se çfarë është rënë dakord.
Lidhur me financimit privat, nuk kanë sjellë asnjë risi kush i jep paratë, si i jep paratë, në çfarë rruge dhe nuk sjell asnjë mundësi për ta kontrolluar.
Së treti, për financimin në natyrë nuk sjell asnjë rregullim tjetër veçse i ka dhënë disa kompetenca KQZ.
Nuk sjell ndonjë risi cilësore lidhur me sanksionet.
Raporti i bërë sot i ditur nga mediat e godet këtë projektligj nga fillimi në fund, qoftë për barazinë e palëve, qoftë për mënyrën si duhet të jepet financimi publik dhe privat dhe sanksionet që do duhet të vendosen.
Më tej, Alibeaj tha se është e nevojshme të ndryshohet mentaliteti dhe t’i jepet mundësia dhe partive të reja.
Është e nevojshme të ndryshohet mentaliteti. Do të vazhdojmë të ruajmë duopolin e vjetër të PS-së dhe PD-së apo do duhet t’i japim hapësirë dhe mundësi edhe subjekteve të reja. Nëse do të zgjedhim të dytën, duhet ndryshuar dhe raporti i financimeve dhe kohës mediatike. Edhe në rastin e mediave. Mediat janë frekuenca publike që përdoren në mënyrë private. Mediat, duhet të vendosen në ligj që gjatë fushatave një pjesë e mirë e kohës televizive të jetë falas.



