
Shkencëtarët kanë rinovuar qelizat e lëkurës së një gruaje 53-vjeçare, duke i bërë ato ekuivalente me ato të një vajze 23-vjeçare.
Shkencëtarët në Kembrixh besojnë se ata mund të bëjnë të njëjtën gjë me indet e tjera në trup. Qëllimi përfundimtar është të zhvillohen trajtime për sëmundjet e lidhura me moshën si diabeti, sëmundjet e zemrës dhe çrregullimet neurologjike.
Teknologjia është ndërtuar mbi teknikat e përdorura për të krijuar delen e klonuar “Dolly” më shumë se 25 vjet më parë.
Kreu i ekipit, Prof Wolf Reik, i Institutit Babraham në Kembrixh, tha për BBC News se ai shpresonte që teknika të mund të përdoret përfundimisht për t'i mbajtur njerëzit më të shëndetshëm gjatë procesit të plakjes.
"Ne e kemi ëndërruar një gjë të tillë. Shumë sëmundje të zakonshme përkeqësohen me kalimin e moshës dhe të mendosh për të ndihmuar njerëzit në këtë mënyrë është super emocionuese," tha ai.
Origjina e teknikës daton në vitet 1990, kur studiuesit në Institutin Roslin zhvilluan një metodë për të kthyer një qelizë të gjëndrës së qumështit të rritur të marrë nga një dele në një embrion. Ajo çoi në krijimin e deleve të klonuara “Dolly”.
Qëllimi i ekipit të Roslin nuk ishte të krijonte klone delesh apo njerëzish, por të përdorte teknikën për të krijuar të ashtuquajturat qeliza burimore embrionale njerëzore. Ata shpresonin se këto mund të rriteshin në inde specifike, si muskuj, kërc dhe qeliza nervore për të zëvendësuar pjesët e konsumuara të trupit.



