
Aktivisti i Lëvizjes Bashkë Klodi Leka duke folur në MCN Live paralajmëroi që Shqipëria ndodhet në prag të një katastrofe sociale, duke marrë parasysh nivelin ekonomik të popullatës.
Duke cituar raportet e organizmave ndërkombëtar Leka tha se në kullat e reja pastrohen para, ndërkohë që qiellgërvishtësit nuk i përgjigjen gjendjes ekonomike të qytetarëve.
Shqipëria për mendimin tonë ndodhet në prag të një katastrofe sociale, duke marrë parasysh nivelin ekonomik të popullatës, pensionet e ulëta, papunësinë e lartë, duke parë se si qytetarët shqiptarë po largohen masivisht nga vendi. Ne presim tani të dalë edhe ky rezultati i Censusit, ku sipas fjalëve që po fliten lart e poshtë, thuhet që shqiptarët që jetojnë këtu nuk janë më shumë se 1,5 apo 1,7 milionë. Kemi një rënie të madhe të besimit të qytetarëve tek institucionet, qoftë te gjykata, qoftë te spitalet, qoftë te sistemi arsimor. E gjithë kjo për mendimin tonë është rezultat i korrupsionit në shoqërinë shqiptare, që po përhapet si një sëmundje degjenerative ne çdo qelizë dhe çdo sferë. E pohojnë edhe raportet e organizatave ndërkombëtare. Ishte Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara, i cili para një muaji tha se kullat që po ndërtohen në Tiranë janë rezultat i pastrimit të parave. Kemi edhe raporte të tjera të organizmave ndërkombëtarë që e pohojnë këtë. E dyta është logjika ekonomike, nuk ka logjikë ekonomike që të kemi 50 mijë apartamente të pashitura, bosh, që nuk konsumojnë energji elektrike ndërkohë që vazhdojnë ndërtimet me hapa të mëdhenj. Pastaj është edhe kjo ideja disi më ideologjike. A jemi ne një popull, a kemi nevojë, apo gjendja jonë ekonomike i përgjigjet një realiteti me kulla qindkatshe, një filmi të keq hollivudian, ndërkohë që shumica e brezit të ri, klasës punëtore dhe shtresës së mesme janë qiraxhinj, nuk kanë mundësi që të kenë një strehim të sigurt”.
Aktivisti vuri në dukje që rënia e euros ka dëmtuar edhe industrinë fasone, duke pasi 2000 gra kanë humbur punën në Bilisht.
Qeveria Rama që kur ka ardhur në pushtet i është shmangur idesë së një ekonomie të qëndrueshme, prodhuese. Rënia e euros po sjell pasoja të dëmshme edhe në industrinë fasone. Po lexoja që vetëm në 10 ditë, 14 fabrika në Bilisht janë mbyllur dhe 2000 gra sot ndodhen në situatë rruge. 2000 familje do kenë më pak të ardhura dhe 2000 gra do izolohen në gardhet e vjetra të izolimit social. Forcimi i lekut po i dëmton seriozisht eksportet. Ky është modeli i kësaj qeverie. Që kur Rama erdhi në pushtet në 2013-ën, i kaloi dy vite me kultivimin masiv të hashashit, vazhdoi me fluskën turistike, vazhdoi me betonizimin. Kur të kryhet edhe kjo flluska e parave të drogës me gjasë. Ne po i shohim edhe shenjat. Po e kthen territorin tonë në një farë territori të lirë ku gjithësekush mund të projektojë këto idetë koloniale edhe ta cenojë seriozisht sovranitetin në Shqipëri. Rama s’po do të krijojë një ekonomi të bazuar në prodhim, punë dhe krijimtari”.
Leka tha që kullat në Tiranë janë struktura për pastrimin e parasë së pistë.
Te kullat përveç bosat e drogës investojnë edhe ministrat apo drejtorët e korruptuar. Është një farë aleance. Kullat sot janë banka për shpëlarjen e parasë së zezë, nuk kanë as funksione banimi. Shumica e kullave janë bosh. Janë një strukturë për shpëlarjen e parasë. SPAK-u s’po lëviz në këtë drejtim, madje as në drejtim të disa ish-ministrave të hetuar në korrupsion, Xhaçka, Beqaj, Veliaj s’u përfshi fare në çështjen e inceneratorëve".
Duke folur mbi protestën e thirrur të shtunën nga Lëvizja Bashkë, Leka tha:
Kemi thirrur protestën, po dalim në rrugë për të folur me njerëzit. Ata të PD-së janë poshtë ballkonit të Salës, këta të Lulit s’e di ça po bëjnë, me reformën zgjedhore 2 vite para zgjedhjeve, ndërkohë që qytetarëve jetojnë përditë. Do mblidhemi të shtunën në 11:00 te sheshi ‘Skënderbej’ dhe do marshojmë drejt bashkisë dhe Kryeministrisë".



