Një ditë pas grabitjes spektakolare në afërsi të Riansit, janë zbuluar detaje të reja lidhur me shumën e marrë. Nga të dhënat zyrtare rezulton se në 7 thasët e rrëmbyer ka qenë shuma 2.7 milion euro raporton Panorama.
Njëra nga makinat e tipit Chevrolet e cila u përdor për grabitjen konfirmohet e vjedhur në Serbi. Ndërsa sistemi i kamerave ka qenë funksional, por dyshohet të jetë fikur nga punonjësit e policisë private që kanë qenë në makinë.
Nga ana tjetër edhe pajisjet e GPS kanë qenë të fikura qëllimisht. Drejtori për Rendin dhe Sigurinë Altin Qato duke dhënë detaje rreth grabitjes së parave të bankës dje gjatë rrugës në Kashar, ka numëruar gjithë gabimet dhe shkeljet e bëra nga kompania e sigurisë që transportonte thasët me para.
Sipas tij, nga ata e firmës private, që kryente transportin e parave janë shkelur disa rregulla.
Rregullat e shkelura nga shoqëria e sigurisë fizike:
– Mjete ishin të modifikuara dhe nuk plotësonin kriteret pavarësisht se në lejet e transportit rrugor nga Drejtoria përkatëse është shkruar mjet për transport të veçantë.
– Kamerat e sigurisë në mjet nuk ishin të instaluara.
– Njëri nga drejtuesi e mjetit nuk ka qenë i autorizuar për të lëvizur me këtë mjet.
– Nuk kanë përdorur armët ashtu siç parashikohen në ligj për raste të tilla.
– Mjetet e monitorimit nuk ishin të certifikuara.
– Të dy automjetet nuk kishin logon e shoqërisë së transportit të parave.
– Nuk është kërkuar bashkëpunimi me forcat e policisë. Bazuar në shkeljet e konstatuara, gjatë paradites së sotme u vendos heqja e certifikatës së shoqërisë së transportit.



