Një person ka humbur jetën si pasojë e zjarrit të rënë në një banesë në Lushnjë.
Ngjarja e rëndë është shënuar rreth orës 03.00 të mëngjesit të sotëm në fshatin Bubullimë.
Si pasojë e zjarrit shtëpia është rrëzuar e gjitha në tokë, pasi mësohet se ishte ndërtuar me kallamishte.
Mësohet se për pasojë ka humbur jetën i zoti i shtëpisë, Koli Todi Koçi, 82 vjeç, i cili ka qenë në banesë me të shoqen Kristina, por gruaja ka arritur që të dalë në kohë jashtë banesës.
Lidhur me rrethanat e ngjarjes policia ka nisur hetimet për të hedhur dritë mbi gjithë sa ka ndodhur, teksa paraprakisht dyshohet se shkak për ngjarjen është bërë soba me dru.
Viktima është zënë poshtë nga trau i tavanit, i cili u shemb si pasojë e zjarrit, duke zënë poshtë të moshuarin.
Njoftimi i policisë
Rreth orës 07:40, në fshatin Bubullimë, Lushnje, dyshohet si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr dhe është djegur banesa e shtetasit K. K., 82 vjeç. Për pasojë, ka ndërruar jetë 82-vjeçari.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkakut të rënies së zjarrit.



