Të gjithë ne, kur dëgjojmë zërin tonë të regjistruar, mendojmë se është shumë më ndryshe nga ai që njohim. Në pjesën më të madhe të rasteve, kur dëgjojnë zërin e regjistruar, njerëzit mendojnë se ai është më pak i këndshëm se ai që perceptojnë ndërsa flasin.
Zëri prodhohet nga dridhjet e kordave vokale, të cilat vihen në lëvizje nga fluski i ajrit që del nga mushkëritë. Kordat vokale ndodhen në bazën e laringut. Ato janë struktura muskulore të mbuluara me mukozë, ato të meshkujve janë më të mëdha se të femrave dhe kjo shpjegon tonin më të rëndë të zërit mashkullor.
Zëri, ashtu si çdo tingull që ne dëgjojmë, është një valë që lëviz në ajër dhe kapet nga veshët tanë. "Veshi i jashtëm i fut valët e zërit në kokën tona me anë të kanalit të jashtëm dëgjues dhe timpani dridhet", shpjegon dr. Patrizia Consoles, audiologe terapiste e të folurit. "Këto dridhje udhëtojnë përmes veshit të mesëm për të arritur në veshin e brendshëm, ku aparati në trajtë kërmilli (koklea) i shndërron dridhjet në sinjale elektrike. Sinjali elektrik i prodhuar aty përcillet në tru nëpërmjet nervit të dëgjimit". Në fund është truri ai që i krijon tingujt që dëgjojmë, duke deshifruar dhe përpunuar sinjalet elektrike.
Kur flasim dhe dëgjojmë zërin tonë, megjithatë, ndodh edhe diçka tjetër. Në këtë rast, dëgjimit të të gjithë tingujve që vijnë nga jashtë, i shtohet diçka tjetër: sinjali udhëton direkt përmes trupit tonë. Në të vërtetë, zëri ynë nuk kalon vetëm përmes ajrit që nxjerrim dhe veshit tonë, por edhe përmes eshtrave të kafkës.
"Midis laringut dhe veshit janë një sërë rezonatorësh që vihen në funksion, të cilët janë kockat, por edhe goja dhe gjuha", shpjegon specialistja. Këta rezonues e pasurojnë zërin tonë me frekuenca dhe mbi të gjitha me frekuenca më të ulëta. Ato arrijnë drejtpërdrejt në zonën e “kërmillit” (koklea), pa kaluar nëpër timpan. Efekti i këtyre rezonatorëve është ndryshimi i zërit, i cili bëhet për ne më i pasur dhe më i këndshëm.
Kur fjalët tona regjistrohen nga një mikrofon, këto frekuenca të krijuara nga rezonatorët në kokat tona zhduken. Në fakt, zëri ynë i regjistruar na duket gjithnjë e më i mprehtë, ndryshe nga ai që ne zakonisht e perceptojmë. Fakti që zëri ynë është i ndryshëm, së bashku me tonin akut, janë arsyet kryesore pse e gjejmë atë më pak të këndshëm.
Sidoqoftë, zëri ynë, siç e perceptojmë vetë, është një tingull që i takon vetëm vetes, që askush tjetër nuk ka dëgjuar dhe as do ta dëgjojë kurrë.



