Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e kaluar në afërsi të fshatit Gjorëm, në Laç, ku janë përplasur dy automjete. Si pasojë e përplasjes, një person ka humbur jetën, ndërsa katër të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë.
Të lënduarit u transportuan fillimisht në spitalin e Laçit, por për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore janë dërguar më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë më të specializuar.
Sipas raportimeve, përplasja ka qenë tepër e fortë, duke bërë që të dy automjetet të dalin nga rruga dhe të përfundojnë në kanal. Është dashur ndërhyrja e forcave të emergjencës për të nxjerrë personat nga mjetet.
Gazetari Juli Simoni, në një lidhje për MCN Live, deklaroi se një nga automjetet ka goditur nga pas mjetin tjetër, çka solli humbjen e kontrollit dhe daljen e të dyja makinave jashtë rruge.
Bëhet fjalë për një aksident të ndodhur mbrëmjen e kaluar në afërsi të fshatit Gjorm, ku janë përplasur dy automjete. Një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë plagosur rëndë. Përplasja ka qenë shumë e fortë dhe mjetet kanë përfunduar jashtë rruge.
Ai ngriti shqetësimin edhe për sigurinë rrugore në disa prej akseve kryesore të veriut të vendit, duke i cilësuar ato si “akse me njolla të zeza”.
Sipas statistikave, akset Lezhë-Milot, Lezhë-Shkodër dhe Rruga e Kombit mbeten problematike për shkak të numrit të lartë të aksidenteve. Më problematikja është superstrada Milot-Balldren, e cila edhe këtë sezon veror duket se do të përballet me të njëjtat vështirësi.
Gazetari shtoi se shtimi i qarkullimit gjatë sezonit turistik dhe kalimi i automjeteve në zona të banuara mbeten faktorë risku, ndërsa policia rrugore është fokusuar si në lehtësimin e lëvizjes, ashtu edhe në ndëshkimin e drejtuesve që shkelin rregullat e qarkullimit.



