Futbollisti i Arsenalit, Oleksandr Zinchenko thotë se do të largohej nga Britania e Madhe për të luftuar në Ukrainë nëse thirret.
27-vjeçari i tha BBC se ka dhuruar rreth 1 milion paund për të ndihmuar njerëzit në vendin e tij që nga ndërhyrja ushtarake e Rusisë në vitin 2022.
Ai tha se Ukraina është bërë një “mburojë” për Evropën dhe bëri thirrje për më shumë mbështetje.
Të mërkurën, presidenti i vendit nënshkroi një projektligj i cili ul moshën e mobilizimit ushtarak nga 27 në 25 vjeç.
Kjo do t’i mundësonte të thërriste më shumë njerëz për të rimbushur rezervat e tij dhe vjen pasi Presidenti Volodymyr Zelensky tha në dhjetor se vendit do t’i duheshin 500.000 ushtarë të tjerë për t’u mobilizuar.
BBC e pyeti futbollistin nëse do t’i përgjigjej një thirrjeje për të luftuar, nëse shihte më shumë vlerë në këtë sesa të qëndronte për të luajtur futboll në Premier League.
Unë mendoj se është një përgjigje e qartë. Do të shkoja të luftoja.
Është e vështirë të kuptosh se kohët e fundit kemi qenë në të njëjtën shkollë, kemi luajtur në shesh lojërash ose në fushën e futbollit dhe tani shokët e mi duhet të mbrojnë vendin tonë.
Sinqerisht, është kaq e vështirë ta pranosh, por situata është ajo që është. Ne nuk mund të heqim dorë.
Zinchenko tha se situata në vend është “super e vështirë”, por se ai dhe familja e tij ishin krenar për presidentin.
Unë e di se ndoshta disa njerëz mund të mendojnë se është shumë më e lehtë... për mua të jem këtu në Londër sesa të jem në Ukrainë.
Shpresoj realisht se kjo luftë do të përfundojë së shpejti.
Ai tha se rusët i quanin ukrainasit “vëllezër” dhe “motrat” e tyre, por se pushtimi u ka treguar “të gjithë ne ukrainasve se nuk mund të jemi më miq me ta”.
Nuk do ta harrojmë kurrë atë që na kanë bërë neve, popullit tonë. Dhe kjo është ajo që unë do t’u mësoj fëmijëve të mi.
Dhe fëmijët e mi do t’i mësojnë fëmijët e tyre. Kjo nuk është e pranueshme.
Në shkurt, Presidenti Zelensky tha se 31.000 ushtarë ukrainas ishin vrarë gjatë pushtimit të plotë të Rusisë dhe dhjetëra mijëra civilë kishin vdekur në zonat e vendit të pushtuar nga Rusia.



