
Greqia dhe Maqedonia do nisin një raund të ri negociatash për çështjen e emrit. Këtë e ka konfirmuar vetë kreu i qeverisë maqedonase Zoran Zaev i cili ka thënë se ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Koztias do të vijë në Shkup në gjysmën e dytë të muajit, ndërsa me vete do të sjellë edhe projekt-versionin grek për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar.
Kryeministri i Maqedonisë theksoi se tani do të ketë raund të ri të negociatave me ndërmjetësuesin e OKB-së.
“Vijon raund i ri i negociatave, që do të mbahet në fund të marsit ose fillim të prillit, nën udhëheqjen e ndërmjetësuesit, Metju Nimic. Deri atëherë ashtu siç dini pritet takim bilateral midis dy ministrave ngjashëm me takimin që ndodhi në Selanik. Për këtë takim, kemi paralajmërim se do të aterojë Kocijas javën e tretë ose të katërt të marsit, ku me ardhjen e tij në aeroportin e Shkupit do të mund të bëhen përpjekje të afrohen qëndrimet, të këmbejnë informata, të ndajnë pritje ose ngjashëm. Pas kësaj me gjasë do të ketë takime të reja liderësh ose takime të informimit të ndërsjellë dhe krijimit të strategjive”, tha Zaev, raporton Alsat M.
Nga ana tjetër, Presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopulos vazhdon me kërkesën e tij për ndryshim të Kushtetutës. Këtë herë Pavlopulos pretendon se kryeministri Zaev do të shkaktonte rrezik po të nënshkruante marrëveshje në kundërshtim me Kushtetutën.
Ndërsa zv/ministri i Mbrojtjes, Fotis Kuvelis tha se çështja duhet përfunduar me një marrëveshje ndërkombëtare, me të cilën do të përfshiheshin edhe ndryshimet kushtetuese.
Ndërkohë në Greqi janë paralajmëruar protesta të reja, në rast se arrihet marrëveshje për emrin dhe nëse e njëjta nuk do të kalonte në referendum.



