Deri tani, të paktën 22 persona janë shoqëruar dhe po merren në pyetje për të hedhur dritë mbi rrethanat e krimit të ndodhur në Elbasan.
Sipas të dhënave zyrtare, 43-vjeçari Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla, kishte precedentë penal në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Po ashtu, mësohet se biznesmeni ishte përfshirë në një konflikt disa ditë para vrasjes, pistë që po konsiderohet seriozisht nga grupi hetimor si e mundshme lidhur me motivin e ekzekutimit.
Hetimet vijojnë në disa pista paralelisht, ndërsa operacioni policor në terren mbetet në zhvillim. Autorët e atentatit mbeten ende të paidentifikuar.
Viktima u qëllua sapo ka dalë nga zyra e biznesit të tij dhe kishte hyrë në makinë.
Gjithashtu, biznesmeni i ekzekutuar ishte edhe pronar i një shërbimi taksi në qytetin e Elbasanit, i quajtur “El Taxi”.
Dëshmitë paraprake bëjnë me dije se është qëlluar të paktën tre herë nga ana e pasagjerit. Edhe pse 43-vjeçari u dërgua me urgjencë në spital nuk mundi ti mbijetojë plagëve të marra.
Mësohet se viktima ishte i martuar dhe babai i dy fëmijëve të mitur.



